Telegrafi

Meksikë, arrestohen mbi 150 policë

Drejtori i sigurisë publike në lokalitetin Gomez Palasio dhe homologu i tij në qytetin e Lerdos kanë përfunduar gjithashtu në pranga.

Ushtarët rrethuan stacionet e policisë në të dy qytetet në dy operacione të kryera në të njëjtën kohë dhe më pas hynë në ambientet e brendshme duke prangosur forcat e rendit.

Policët e arrestuar u transportuan me autobusë. Prokurorja e shtetit të Durangos, Sonia Yadira de la Garza tha se operacionet erdhën pas një hetimi të gjatë, transmeton TCH.

Ajo tha se oficerëve të arrestuar iu morën armët, në mënyrë që të dërgoheshin për analiza, për të kontrolluar nëse ishin përdorur për krime.

Kontrollin e rendit dhe sigurisë në Gomez Palasio dhe Lerdo e ka marrë ushtria. Presidenti Meksikan Enrique Pena Nieto e ka kthyer luftën kundër korrupsionit një nga prioritetet e qeverisë së tij.

Korrupsioni në radhët e policisë meksikane, sidomos në atë bashkiake, është i pranishëm në masë të gjerë, me oficerët të cilëve u ofrohen para nga kartelet e drogës në këmbim të informacioneve.

Në përpjekje për të frenuar fenomenin, presidenti Nieto njoftoi muajin e kaluar krijimin e një force të re policie, sipas modeleve të xhandarmërive evropiane, që do të ketë në fokus pikërisht strukturat shtetërore. /Telegrafi/