Telegrafi

Meksika kap shefin e supozuar të sigurimit të kartelit Sinaloa, “El Nini”

Garda Ndërkombëtare Meksikane arrestoi të mërkurën Nestor Isido Perez Salas, i njohur si “El Nini”, i cili akuzohet se drejtonte ekipin e sigurisë së kartelit Sinaloa, të kryesuar nga djemtë e themeluesit Joaquin “El Chapo” Guzman.

Raportohet nga mediat se Perez Salas u arrestua në Culiacan – e njohur ndryshe si “qendra” e kartelit Sinaloa – dhe njihet si një nga figurat më të pamëshirshme meksikane të drogës, përcjell Telegrafi.

Gjykatat amerikane e kanë paditur Perez Salas me një sërë akuzash në lidhje me rolin e tij në krye të sigurisë së Chapitos, ku përfshihen trafiku i kokainës dhe metamfetatminës, posedimi i mitralozëve dhe hakmarrja ndaj dëshmitarëve.

Departamenti i shtetit amerikan kishte ofruar deri në 3 milionë dollarë për çdo informacion që dërgonte në arrestimin e tij.

Ndryshe, kapja e Ninit vjen më pak se një javë pasi presidenti amerikan Joe Biden u takua me homologun e tij meksikan Andres Manuel Lopez Obrador.

“Ne po punojmë krah për krah për të luftuar trafikimin e armëve, për të trajtuar krimin e organizuar dhe për të trajtuar shpërndarjen e opioideve, përfshirë fentanilin”, tha Biden.

SHBA dhe Meksika gjithashtu ranë dakord me Kinën javën e kaluar për të frenuar rrjedhën e kimikateve të fentanilit nga vendi aziatik.

Karteli Sinaloa është përgjegjës për fluksin e madh të fentanilit në SHBA në vitet e fundit, pretendon Administrata e Zbatimit të Drogës në SHBA.

Në janar, autoritetet meksikane kapën një nga udhëheqësit e kartelit Ovidio Guzman në Sinaloa, dhe e ekstraduan atë në SHBA. Tre vëllezërit e tjerë Guzman mbeten të lirë. /Telegrafi/