Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur në takim udhëheqësen e Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, Lindita Daija dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, të udhëhequr nga Sami Mazreku.
Gjatë takimit, u diskutua lidhur me gjendjen e sektorit të sigurimeve në Kosovë, i cili ka qenë ndër sektorët më të prekur nga situata e krijuar për shkak të pandemisë COVID-19.
Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, për Telegrafin ka thënë se humbjet vjetore janë rreth 4 milionë euro nga mos inkasomi i primit dhe 4 milionë euro të tjera nga sigurimet.
“Deri para se të filloj pandemia e COVID-19, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme në sistem figurojnë rreth 150 mijë vetura të paregjistruara. Por që nuk ka një analizë se sa prej tyre mund të janë në trafik. Natyra e këtyre automjeteve që dalin në trafik pa regjistrim i shkaktojnë dëme milionëshe sektorit të sigurimeve. Humbjet vjetore janë rreth 4 milionë euro nga mos inkasomi i primit nga këto vetura dhe nga ana e tjetër janë rreth 4 milionë euro që këto vetura i shkaktojnë nga sigurimi. Nga viti 2000 deri 2019, vetëm për automjetet e pasiguruara, sektori i sigurimeve ka paguar mbi 44 milionë euro”, ka thënë Mazreku. /Telegrafi/