Site icon Telegrafi

Mehmeti: Pse Prokuroria Themelore në Shkup asnjëherë nuk më ktheu përgjigje në lidhje me ‘përgjimin tim’?

Gati rreth pesë muaj më parë Maqedonia u ‘trondit’ nga afera e përgjimeve, ku ishte paraqitur një bisedë telefonike që supozohet se zhvillohej mes deputetes Ermira Mehmeti dhe ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë Musa Xhaferi. Mehmeti asnjëherë nuk ka sqaruar në lidhje me këtë ‘përgjim’, por ajo sot për herë të parë shkruan arsyet dhe zbulon se kush ishte vajza që në ‘përgjim’, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Nuk kam folur shumë lidhur me përgjimet dhe tendencën e hapur për të më diskredituar mua, tendencë e cila, siç po shihet qartë, është e paramenduar, e porositur dhe e organizuar mirë. Nuk kam folur duke u nisur nga fakti se në një botë si kjo e sotmja, asgjë më nuk përbën lajm sepse në vazhdimësi jemi të bombarduar nga mori lajmesh, spekulimesh, akuzash e shpifjesh, por edhe për shkak të faktit se unë u gjenda vet karshi një fushate të sponsorizuar dhe të financuar nga nëntoka e cila, në çdo aspekt është më e fuqishme se unë.
Nuk kam folur edhe duke u nisur nga logjika e kohës tonë sipas të cilës vetëm lajmi i keq nxit interesim dhe çdo gjë që do të thoja unë do të ishte thjesht futje në terrenin e justifikimeve, dhe ato në këto situata nuk ndihmojnë.
Por, sot kam vendosur të them disa fjalë lidhur me këtë sulm, që duket se akoma vazhdon.

“Së pari, është e qartë tendenca që, duke përdorur metodat më të thjeshta të programeve edituese Ermira Mehmeti të shndërrohet në sinonim të ‘shthurrjes morale’ të shoqërisë sonë. Nuk është për t’u çuditur: në një shoqëri maskiliste, me premisa të theksuara të patriarkalizmit dhe logjikës së organizimit shoqëror fisnor ku mashkulli/burri ka fjalën përfundimtare për çdo gjë, një Ermirë është pengesë që duhet eleminuar. Rrethanat lehtësuese? Ermirës i ka vdekur babai, ka një vëlla që merret me art, pra jo me politikë, dhe një vëlla që është ndër udhëheqësit e Revolucionit të larëm. Ajo ka një kushërirë e cila pa ndalë e sulmon BDI-në dhe Qeverinë, dhe ka një familje pa 100 burra (sepse duket se ky është kriteri përcaktues për sukses në politikën tonë aktualisht)! Për më shumë, Ermira është edhe e divorcuar, kështu që terreni për ta goditur në dimensionin moral është perfekt, pa asnjë pengesë!”

“Së dyti, dëshiroj të pyes publikisht Prokurorinë Themelore Publike Shkup, se përse asnjëherë nuk më ktheu përgjigje në kërkesën time për t’i bërë audio ekspertizë ‘përgjimit’ tim? A mos vallë dikush ‘nga lart’ ka urdhëruar Prokurorin e lëndës që ta fusë atë në sirtar dhe të mos i kthejë asnjë përgjigje, çfarëdoqoftë ajo, paditësit, që në këtë rast jam unë?”

“Së treti, unë kam parashtruar padi edhe në Prokurorinë Speciale në Shkup. Përgjigja të cilën Prokurorisë ia ka dhënë ndonjë audio ekspert është se ‘incizimi është i dobët’ dhe ka pengesa teknike për t’i bërë ekspertizën. Hmmm, dmth nuk qenka sikur këto përgjimet tjera që kemi dëgjuar nëpër media!”

“Së katërti, duke u gjendur pa mbrojtje nga institucionet por as nga subjekti im politik, unë jam detyruar që vetë të kërkoj që të bëhet ekspertiza e ‘përgjimit’, në rrugë private. Atë ekspertizë e kanë bërë inxhinjerë të zërit nga Maqedonia, Kosova, dhe SHBA-të, dhe është parë qartë se bëhet fjalë për një bisedë të montuar, me qëllim diskreditimin tim.”

“Së pesti, gjatë gjithë kësaj kohe tek unë kanë ardhur individë, të njohur e të panjohur, të cilët më kanë dhënë prova për atë se zëri i kujt në fakt është në atë përgjim. Këtë informatë unë ia kam transmetuar edhe Prokurorisë Speciale, por edhe Ministrit (të opozitës) të Punëve të Brendshme. Këtë informatë ua kam transmetuar edhe Zëvendës Ministrit për Punë të Brendshme Nuhiu, si dhe Zëvendës Drejtorit për Siguri Publike Dehari. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam folur për këtë çështje duke u nisur nga edukata ime dhe përcaktimi se roli im publik nuk është për t’ia prishur jetën askujt, aq më pak ndonjë vajze apo femre. Por, sot po them dy gjëra: zonjusha në fjalë është A.A. nga Shkupi, dhe unë, por edhe Prokuroria Speciale e Ministria e Brendshme e kemi fotografinë e saj.”

“Së gjashti, më vjen keq që Parlamenti nuk ka gatishmëri që ta votojë Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve të cilin e kërkon Prokuroria Speciale. Ky ligj do të ndihmonte shumë në zgjidhjen e rasteve që ka hapur për procedim kjo Prokurori. Në rastin tim, dëshmitarët do të denonconin atë që dinë lidhur me rrjetin e nëntokës dhe voajerët që keqpërdorin jetët e njerëzve për përfitime materiale.”

“Në fund, dëshiroj të them se nuk kam dyshim se qëllimi i kësaj fushate ka qenë dhe ngelet largimi im nga skena politike. Pas 15 vitesh në politikë, dhe të paktën 12 vite në pushtet, unë vazhdoj të paguaj kredi për makinë dhe për banesë. Asnjëherë askujt nuk i kam kërkuar para për ndonjë shërbim. Kurrë nuk kam pasur ndikim në asnjë kontratë furnizimi publik (tender), dhe as nuk kam lejuar që të ndikoj në miratimin e ligjeve sipas interesave të oligarkëve. Kam kritikuar partinë time sepse kam vlerësuar se kritika e bën atë më të fortë, më të mirë, më të suksesshme. Nuk kam patur asnjëherë qëllim dhe as ambicje që të bëhem lidere e BDI-së, siç dikush ia ka transmetuar këtë ‘ambicje’ në formë kërcënimi liderit të partisë. Unë kam shkuar në BDI kur kam qenë vetëm 21 vjeçe, dhe nuk kam shkuar as për t’u pasuruar, as për të dëmtuar shqiptarët. Kam menduar se e kam për obligim të flas kur kam vërejtur se qeveria në të cilën bëjmë pjesë po e dëmton popullin të cilit i përkas. Leksioni që mora? Në politikën e Ballkanit mund të kesh sukses vetëm nëse hesht, nëse puth dorë dhe nëse thua atë që nuk e mendon! Përndryshe, punët i merr në dorë nëntoka.”

“Kjo nuk është politika që unë di ta bëj, nuk është politika që e kam mësuar, dhe nuk është politika në të cilën do të vazhdoj të jap kontribut. Prandaj, do të kërkoja që të ndërpritet fushata kundër meje dhe të lihet e qetë familja ime,” shkruan Ermira Mehmeti në profilin e saj në Facebook. /Telegrafi/

 

Exit mobile version