Site icon Telegrafi

Mehmeti: Protesta e studentëve mund të bëhej një ditë tjetër

Arben Mehmeti, nga Unioni i Studentëve të Kosovës, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se protesta e studentëve në përvjetorin e Universitetit të Prishtinës ka qenë e gabuar në kohë.

Ai ka deklaruar se janë të arsyeshme mospajtimet me gjendjen në universitet, por se ajo mund të bëhej një ditë tjetër.

“Protestat e studentëve janë të mirëpritura kur kanë motiv të drejtë dhe të arsyeshëm. Edhe protesta e sotme besoj se ka pasur qëllim të këtillë. Por besoj që sot UP-ja e ka merituar të festojë ditën e vet. Prej nesër mund të ngriten shqetësimet për cështje të ndryshme”.

Mehmeti më tutje ka thënë se i kanë ikur ndikimit partiak, së paku në organizatën e tij, ndërsa ka drejtuar akuza ndaj Organizatës për Studim Kritikë dhe Veprim, për etiketim të pabazuar.

“Nuk kemi preferencë partiake, sepse ndryshe nuk do të na vinte keq ta përmendnim. Ky është perceptim, më shumë se realitet. Mund të ketë pasur kësi organizatash, por mund të flas për organizatën tim, që nuk ka lidhje me asnjë parti politike”.

“Akuzat e vazhdueshme nga SKV kanë qenë krejt të formës ‘këta janë me pushtetin’, pa asnjë argument. Kur kam qenë kryetar i Parlamentit Studentor, ky organ ka qenë shumë aktiv në kritikë, për ngritjen e cilësisë në Universitetin e Prishtinës”. /Klan Kosova/

Exit mobile version