Site icon Telegrafi

Mehmeti: Kemi plotësuar të gjitha kushtet për Kartonin e Gjelbër, pengesë mosanëtarësimi në OKB

Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim për Kartonin e Gjelbër, mirëpo pengesa e kryesore është mosanëtarësimi i vendit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Kështu ka njoftuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti gjatë një vizite në Byronë Kosovare të Sigurimeve, duke shtuar se është vërejtur një përmirësim në sektorin e sigurimeve.

“Vitet e fundit vërehet një përmirësim i këtij sektori dhe masat e ndërmarra nga Banka Qendrore e Kosovës kanë qenë efektive në kufizimin e shpenzimeve, duke marr parasysh rënien e konsiderueshme në sektorin e sigurimeve. Gjatë vitit 2020, kemi një rënie të shpenzimeve me 13 për qind, nëse e krahasojmë brenda një viti”, tha Mehmeti, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, ka pasur rënie të dëmeve të paguara brenda vitit të kaluar.

“Për sa i përket dëmeve ta paguara bruto arritën diku 46 milionë euro apo një rënie e lehtë prej 4 për qind, që vjen nga aplikimi i masave kufizuese të lëvizjes në fillim të vitit të kaluar. Kemi një rënie të primeve, ku shuma e përgjithshme gjatë vitit 2020 ishte rreth 4 milionë euro, kurse pagesa e dëmeve arriti në 5.5 milionë euro”, u shpreh ai.

Mehmeti tha se vazhdon të mbetet i lartë numri i automjeteve të pasiguruara që qarkullojnë nëpër rrugët e Kosovës.

“Një çështje tjetër janë mjetet e pasiguruara që qarkullojnë çdo ditë e më shumë dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve. Aksidentet me fatalitet në të shumtën e rasteve vijnë kryesisht nga këto automjete të pasiguruara”, tregoi Mehmeti.

Ai u shpreh se, mosantarësimi në Këshillin e Sigurimeve është për arsyes se Kosova nuk është e anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Për sa i përket Kartonit të Gjelbër, të gjitha kushtet në Këshillin e Sigurimeve janë plotësuar. Një ndër ato kushte është Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm, themelimi i Byrosë, Qendra Informative e Sigurimit dhe Fondi i Garancisë prej 4 milionë euro, realisht janë që kanë ndodhur, mirëpo pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim ka ndodhë një pengesë që Kosova të mos jetë anëtare në Këshillin e Byrove si rezultat i mosantarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, përfundoi Mehmeti.

Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura duhet të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 euro. /Telegrafi/

Exit mobile version