Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë kohës kur ishte në pushtet, vendoste se kush do të bëhej ministër në Maqedoni. Ky është pretendimi i publicistit dhe shkrimtarit Kim Mehmeti.
Mehmeti tha se një gjë e tillë vazhdoi derisa partitë shqiptare u forcuan, derisa shtoi se ndërhyrje të tilla, s’janë gjithmonë në interesin shqiptar.
“Dikur, më shumë Prishtina vendoste se kush do të bëhet ministër në Maqedoni, se sa vetë partitë shqiptare, derisa u forcuan. Në fillimet e veta, te PDI-ja dhe te PDSH-ja, ndikonte ish-kryeministri, Hashim Thaçi, ai vendoste edhe kush do të bëhet ministër. E lëre më, këto biznes lidhjet. Këto ndërhyrjet, s’kanë të bëjnë gjithmonë me shqiptarinë, apo interesin shqiptar”, deklaroi Mehmeti në tëvë1.
Më tej, Mehmeti tha se të gjitha shtetet duhet të funksionojnë në bazë të institucioneve shtetërore.
“Nuk duhet të varet se sa Vetëvendosje ndikon në Maqedoninë Veriore, por sa ne si shqiptar ndikojmë atje si institucione shtetërore”, theksoi tutje Mehmeti në Tëvë1./teve1.info/.