Një kosovar blen një klub në Itali, i cili për 28 vjet garoi në nivelin më të lartë, Serie A. Fjala është për biznesmenin e fuqishëm, Hamdi Mehmeti, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Zvicër. Mehmeti, i cili vitin e kaluar i dha Hajvalisë një ‘infuzion’ me disa investime, të dielën zyrtarizoi blerjen e klubit të njohur italian, Unione Triestina 2012.
Faktikisht, Mehmeti prej kohësh ka qenë i interesuar të blejë një klub në Itali dhe këtë e kishte bërë me Vicenzan, por më pas kishte hequr dorë për shkak të borxheve të mëdha të këtij klubi. Ai nuk u dorëzua dhe pas shumë angazhimeve arriti ta bëjë për vet Triestinën. Kjo skuadër aktualisht garon në Serie D (Liga e Katërt), por ka ambicie që gradualisht të ngjitet në majat e futbollit italian, aty ku dikur e kishte vendin.
“Është e vërtetë. Pas procedurave që i kemi pasur, të dielën edhe zyrtarisht është kompletuar dokumentacioni dhe zyrtarisht kam blerë klubin Unione Triestina 2012. Vërtetë është një ndjenjë e mirë të jesh pronar i një klubi në Itali. Mirëpo, me angazhim arrihet gjithçka”, u shpreh Mehmeti të dielën për ‘Sport Plus’. Ai nuk ka dashur të publikojë shifrat se sa i ka kushtuar blerja e klubit, por ka falënderuar gjithë stafin e tij, konkretisht Pierre Janvier Mbock për bashkëpunimin. Për klubin italian dhe blerjen e tij nga Mehmeti, kanë shkruar edhe mediat italiane. Ndërkohë, shikuesit e shumtë e kanë falënderuar dhe përgëzuar Mehmetin për këtë veprim. Ata kanë festuar gjatë gjithë ditës së diel për këtë fakt.
Ambiciet e Mehmetit
Mehmeti ka ambicie të mëdha me klubin e tij. Duke parë traditën e Triestinës, ai pohon se gradualisht synon që ta ngritë skuadrën në majat e futbollit italian.
“Triestina është një klub me traditë të madhe. Nëse shikojmë aktivitetet e skuadrës ndër vite, atëherë kuptojmë se pozita aktuale nuk është reale. Prandaj, gradualisht do të mundohem që ta ngriti këtë klub, pasi ka shumë dashamirë”, deklaroi Mehmeti.
Ky i fundit të dielën nisi topin nga qendra, duke konfirmuar kështu pronësinë e tij te Triestina në barazimin 2:2 ndaj La Fenadora. “Ishte një moment emocionues. I tërë publiku të falënderonte. Sa i përket ndeshjes, skuadra barazoi 2:2 edhe pse në kohën shtesë humbëm një penallti”, shtoi Mehmeti. Te Triestina luan një futbollist shqiptar nga Maqedonia. Fjala është për Ilir Frangun.
Sipas Mehmetit, blerja e Triestinës është një mundësi e mirë edhe për të gjithë futbollistët kosovarë që të arrijnë sa më lehtë Italinë. Ndërkohë, i pyetur nëse do ta hapë një klub në Kosovë me emër të tillë, ai nuk e ka mohuar një gjë të tillë. Megjithatë, mësohet se Mehmeti do të hapë filiale të klubit edhe nëpër vende tjera të Evropës, pasi ambiciet e tij janë të mëdha me klubin italian.
Presidenti më i ri në Evropë
Me rastin e blerjes së Triestinës, Hamdi Mehmeti është bërë presidenti më i ri në Evropë. Andrea Agnelli i Juventusit pretendohej të ishte më i riu me 38 vjet, por Mehmeti me 31 sosh bëhet pronari më i ri. /SportPlus/Telegrafi/