Site icon Telegrafi

Mehmedi: E vështirë të luajmë kundër Shqipërisë

Sulmuesi nga Gostivari, Admir Mehmedi, që është pjesë e Zvicrës prej disa vitesh, pranon se do ta ketë shumë të vështirë të luajë kundër Shqipërisë.

Në një prononcim për prestigjiozen zvicerane “Blick”, njëri prej gjashtë shqiptarëve të Kombëtares helvete, që në finalet e “Euro 2016” pritet të luajnë kundër kuqezinjve, theksoi ndër të tjera se kur u hodh shorti shpresoi të shmangej kjo përballje.

“Unë jam shqiptar nga Maqedonia, por ashtu si unë, edhe pesë lojtarët e tjerë që bëjmë pjesë te Zvicra, dëshironim ta evitonim të përballeshim me Shqipërinë në Europian. Më duhet të pranoj se do të jetë e vështirë të luajmë kundër mëmëdheut.

Natyrisht jemi përballur dy herë më parë, por për ne do të jetë sërish një ndjesi e çuditshme. Gjithsesi, jemi profesionistë dhe përderisa përfaqësojmë Zvicrën, do të japim gjithçka për të arritur fitoren në ndeshjen e parë në Europian”, deklaroi Mehmedi, i cili aktualisht është pjesë e Bajern Leverkusenit.

Sulmuesi numëron 39 ndeshje me përfaqësuesen e Zvicrës, teksa ka shënuar 3 gola. Ai ka qenë pjesë e helvetëve edhe në finalet e Botërorit 2014 në Brazil.

Ndërkohë, Shqipëria do të debutojë në kampionatin europian në sfidën përballë Zvicrës më 11 qershor. Si kundërshtarë do të ketë Valon Behramin, Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin, Blerim Xhemailin dhe Admir Ahmedin. Shqipëri-Zvicër do të luhet në stadiumin e Lensit, që ka një kapacitet prej 35 mijë vendesh. Sipas të gjitha gjasave, më shumë se gjysma e stadiumit do të jetë e mbushur me tifozë kuqezi.

Exit mobile version