Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se do të vlerësohet kontributi i secilit dëshmor i cili ka dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
Këtë Mehaj e ka thënë pasi ka vizituar familjen e dëshmorit, Husen Mulla, në Shipshan të Tropojës.
“Ata dhe familjet e tyre do të jenë gjithmonë përkujtuesit më të mirë se si duhet të jetohet dhe vdiset për atdhe”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ai tutje ka thënë se Tropoja është vend në gjirin e të cilit u formuan dhe u rriten shumë trima e idealistë të kombit.
“I tillë ishte edhe dëshmori, Husen Mulla, i cili nuk mund të qëndronte i qetë përderisa gjysma e atdheut po sulmohej barbarisht. Ai u kyç në radhët e UÇK-së, luftoi me nder e krenari të madhe për lirinë tonë”.
Mehaj këtë të shtunë ka vizituar edhe familjen e ish-komandantit Tahir Sinani në Gri të Tropojës dhe atë të dëshmorit Bylbyl Breçani në Markaj. /Telegrafi/