Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, njoftoi këtë të mërkurë se gjatë qëndrimit dyditor në Holandë, ka takuar të paraburgosurit e Gjykatës Speciale, “të cilët janë padrejtësisht duke u gjykuar në Hagë”.
Mehaj bëri të ditur se ka takuar Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën, ndërsa ka biseduar shkurt edhe me Hysni Gucatin, për të cilin tha se është duke u përballur me probleme shëndetësore.
“Në takimet që kam realizuar me secilin, i kam njoftuar me zhvillimet në vend, në fokus zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes përkatësisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës, ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale, bashkëpunimin me partnerët, rekrutimet, synimin për anëtarësim në PfP dhe NATO të cilat janë në funksion të plotë të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së gjithë territorit të Republikës sonë”, shkroi ministri në llogarinë e tij në Facebook.
Të gjithë ata që i ka takuar Mehaj tha se ishin “me moral të lartë e të fortë ashtu siç ka qenë ushtria e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
“Ne besojmë pa asnjë hamendeshim në pafajësinë e të gjithëve dhe në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare. Gjithashtu, ndajmë bindjen e thellë që gjykimi i tyre është i padrejtë. Ne do te jemi gjithnjë krenar me luftën e UÇK-së, ka qenë UÇK-ja ajo që na ka bërë bashkë për të fituar lirinë tonë, në këtë pikë do të mbetemi përherë bashkë dhe kjo do të mbetet e pandryshuar përgjithmonë”.
Në fund, ai ka uruar që të gjithë të lirohen sa më shpejt dhe që ditët e së ardhmes së Kosovës të jenë “sikur pikturat e Rexhës – sa të bukura aq përmbajtjesore”.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të dalë sërish fitimtare!”. /Telegrafi/