Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, ka takuar këshilltarin kryesor të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, njëherazi zv. Kryetarin e Komitetit Ushtarak, Gjenerallejtënant Landrum.
“Me Gjenerallejtënant Landrum, si anëtari i dytë më i lartë i Komitetit Ushtarak të NATO-s, diskutuam rreth zhvillimeve në sektorin e sigurisë, situatës aktuale gjeopolitike, rolit të KFOR-it dhe trupës këshilluese të NATO-s në Kosovë, si dy organe bashkëpunuese në misionin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë”.
Ndër të tjerash me Gjenerallejtënant Landrum u diskutua për rëndësinë që ka pjesëmarrja e FSK në ushtrimin Defender Europe 23 si dhe fakti që Kosova do të jetë ndër vendet pritëse të këtij ushtrimi.
“Para gjenerallejtënantit sërish theksova gatishmërinë që Republika e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh për të qenë pjesë aktive e misioneve të NATO-së me të gjitha kapacitetet tona profesionale të cilat i kemi zhvilluar ndër vite, e po ashtu shpreha mirënjohjen për trupat e KFOR-it në Kosovë, bashkëpunimi me të cilët është shumë i rëndësishëm në përmbushjen e synimeve tona të përbashkëta në mbrojtjen e vlerave demokratike’, Ka shkruar tutje Mehaj.
Nikoqir i delegacionit të Republikës së Kosovës në selinë e NATO-s ishte edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në NATO, David Quarrey.
“Në takim me Ambsadorin Quarrey, diskutuam rreth situatës aktuale gjeopolitike, zhvillmit të Republikës së Kosovës në sektorin e sigurisë, bashkëpunimin e ngushtë që si shtet e ushtri e kemi me Mbretërinë e Bashkuar, dhe drejtimet ku mund të thellojmë bashkëpunimin, e po ashtu diskutuam për raportin që kemi me NATO-n e KFOR-in, si trupa partnere të FSK-së e organe të rëndësishme këshilluese e mbrojtëse të sigurisë”.
“Ndër të tjerash shpreha po ashtu gatishmërinë që si shtet, si Ministri e Mbrojtjes përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës të ofrojmë ndihmë për Ukrainën, duke trajnuar ushtarakë ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme”, deklaroi tutje Mmehaj./Telegrafi/