Telegrafi

Mehaj: Rikonfirmohet angazhimi i SHBA-së për sigurinë në rajon

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj duke komentuar vendosjen e shtabit operativ pararojë në Shqipëri nga Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së në Evropë (US SOCEUR), ka thënë se është një ky është lajmi shkëlqyeshem dhe një vendim i madh.

Mehaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky vendim rikonfirmon fuqishëm angazhimin e SHBA-së në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë.

“Lajm i shkëlqyeshëm që Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së në Evropë (US SOCEUR) po krijon shtabin operativ pararojë në Shqipëri.
Ky është një vendim i madh që rikonfirmon fuqishëm angazhimin e SHBA-së në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë.
#StrongerTogether”, ka shkruar Mehaj.

Ambasada amerikane në Tiranë e quajti këtë vendim një “gurthemel për stabilitetin rajonal”.

Sipas deklaratës së SOCEUR-it, vendndodhja e selisë në Shqipëri “do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik”.

Komanda amerikane theksoi se vendimi është bërë i mundur nga Qeveria shqiptare dhe profesionalizmi i ushtrisë së saj. /Telegrafi/