Site icon Telegrafi

​Mehaj pret homologen gjermane, flet për angazhimin e FSK-së në misione ndërkombëtare

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ministren e Mbrojtjes të Gjermanisë, Christine Lambrecht. Kjo është vizita e parë e një ministri të Mbrojtjes së Gjermanisë në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Fillimisht, në këtë takim në mes të delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes së vendit, të kryesuar nga Mehaj dhe delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, kryesuar nga ministrja gjermane Lambrecht, u bisedua lidhur me situatën e sigurisë në Republikën e Kosovës si dhe zhvillimet aktuale të sigurisë në regjion dhe më gjerë, të reflektuara nga agresioni ushtarak i Rusisë mbi Ukrainën.

Me këtë rast, Mehaj falënderoi ministren Lambrecht për kontributin e dhënë për ofrimin e sigurisë nga trupat gjermane, që janë pjesë e KFOR-it.

Më tej, në këtë takim u bisedua për raportet e mira në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, ku një kontribut të madh në përafrimin e dy vendeve ka dhënë diaspora kosovare në Gjermani, e integruar mirë, ku numri i tyre është rreth 400 mijë.

Mehaj theksoi se që të dy vendet gjithashtu ndajnë vlerat e përbashkëta në qeverisjen demokratike dhe kërkoi përkrahjen e shtetit gjerman për anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në NATO.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Lambrecht mundësinë e bashkë-zbarkimit të trupave të FSK-së në misione ndërkombëtare, ku trupat gjermane janë të angazhuara.

Ndërsa, Lambrecht theksoi se sikurse deri më tani, shteti gjerman do të vazhdojë të ofrojë përkrahje për Republikën e Kosovës.

Ajo theksoi se Kosova dhe Gjermania janë partnerë të besueshëm dhe të sinqertë më njëri-tjetrin.

Në këtë takim u përmend mundësia e ripërtëritjes së Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të dy vendeve si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes SOFA.

Exit mobile version