Site icon Telegrafi

Mehaj: Kosova dhe Polonia, aleatë të paqes

Gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka takuar Shefin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Polonisë, gjeneral Rajmund T. Andrzejczak.

Me të Mehaj tha se ka biseduar rreth çështjes aktuale të sigurisë, ndikimit që në këtë mes ka agresioni rus ndaj Ukrainës, dhe po ashtu për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në nivel ushtarak, përmes trajnimeve të përbashkëta të dy ushtrive dhe bashkëpunimit në fusha të tjera, “të cilat së shpejti do t’i definojmë përmes nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet shteteve tona”.

“Njoftova gjeneralin për gatishmërinë që kemi që të trajnojmë trupat ukrainase dhe polake në fushën e deminimit, të kërkim-shpëtimit, dhe po ashtu gatishmërinë tonë që të dërgojmë trupa të specializuar në fushën e shëndetësisë, për të mbështetur Poloninë dhe refugjatët ukrainas, që aktualisht janë të strehuar në këtë shtet”, shkroi ministri në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, theksoi se meqenëse Kosova është në proces të përgatitjeve si vend nikoqir i ushtrimit fushor, “Defender 2023”, ka ftuar gjeneralin që Polonia të jetë pjesëmarrëse në cilësinë e vëzhguesit dhe të njoftohet nga afër për kapacitetet profesionale dhe operacionale të FSK-së.

“Synimi ynë i përbashkët është mbrojtja e paqes dhe stabiliteti ne vend, rajon dhe më gjerë. Rruga jonë është e qartë, anëtarësimi në NATO dhe BE. Republika e Kosovës dhe Polonia, aleatë të paqes!”. /Telegrafi

Exit mobile version