Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se së bashku me gjeneral Bashkim Jashari kanë pritur në takim Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, Gjeneral brigade Jörg Rüter.
Mehaj në një postim në Facebook shkruan se Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s do të intensifikojë angazhimin për avancimin e FSK-së.
Lexoni të plotë njoftimin:
“Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s do të intensifikojë angazhimin për avancimin e FSK-së
Sot së bashku me gjeneral Jasharin pritëm në takim Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, Gjeneral brigade Jörg Rüter.
Me këtë rast, shpreha edhe njëherë mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë të rolit të NALT-it në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Nga ana e tij, gjeneral Jashari, theksoi rëndësinë e madhe të bashkëpunimit të ngushtë me NALT-in edhe gjatë detyrës së tij paraprake si Inspektor Gjeneral i FSK-së, duke shprehur besimin se ky bashkëpunim me gjeneral Rüter do të thellohet edhe më shumë në pozitën e Komandantit të FSK-së.
Gjeneral Rüter, me këtë rast, uroi Gjeneral Jasharin për detyrën e re, duke besuar se, sikur nga pozita e mëhershme, bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët, do të intensifikohet edhe më shumë , në funksion të zhvillimit dhe avancimit të FSK-së”, shkruan Mehaj. /Telegrafi/