Site icon Telegrafi

Megjithatë (nuk) po sillet…!

 “Eppur si muove”… do të thoshte llatini! Llafe ishin! Po të sillej, latinishtja ende do të ishte në përdorim! Nuk sillej, Galileo, rren ishte! Edhe unë… e pranoj! E kam përdorur këtë thënie edhe në ndonjë shkrim tjetër, prandaj e ktheva në latinisht! E, në shqip i bie “megjithatë sillet”! Kosovarqe i bie: “Sillet po çka”! Qare nuk ka! E shtyn NATO! Pra, nuk është se nuk e kam përdorur!

Por, e kanë përdorur edhe të tjerët?! Të njohur e të panjohur! Me siguri edhe para Galileut, duhet ta ketë përdorur ndokush, në rrethana dhe në kontekst tjetër. Më pak dramatike, besoj! Gjithsesi duhet të ketë qenë në ndonjë kontekst johistorik! Po të ishte ndryshe, historianët atë punë kanë! Të fitojnë luftërat! Se, betejat fitohen në front, e luftërat… në libra! Tash në portale! Sa klikime apo “llajk” ke… i numëron softueri vet! Kështu matet fitorja!

Politikanët shkruajnë statuse, nuk flasin në Parlament! Parlament nuk ka vëlla! Demokraci ka, Parlament nuk ka! Ashtu ka thënë i moçmi! Te ne… funksionon!

Po të ishte ndryshe edhe Galileu nuk do të mbahej mend për thënien e tij të famshme në të cilën përmblidhet krejt fataliteti i shkencëtarit i cili në fund të fundit e bën çfarëdo pushteti të frikës të humb luftën pas shumë e shumë betejash të fituara! E, Galileu u bë i famshëm, sepse e mohoi pikëpamjen e vet nga frika, por… pastaj e mohoi prapë vetveten! Ndoshta e ka mohuar sërish, por kush kishte kohë të merrej me të! Thjesht, ra vëmendja! Ndërruam kanalin!

Kështu thotë shkenca, ndërkohë që bota e legjendave është më e bukur dhe më shprehëse! Lë mundësi për lexim kreativ! Dua të them, me e lexue rrëfimin qysh të pëlqen! Me u përkund vet!

Legjenda thotë se Hëna po shihej në pasqyrën e liqenit dhe po mahnitej me dritën e vetë! “Sa dritë po që bëj”, po përkundej ajo në vete mbi kokën e dy dashnorëve të vetmuar, të cilët nën hijen e saj seç po bisedonin për… diçka! Mbase për koalicione! Tash, krejt bisedat po bëhen tinëz! Gjithkund, përveçse në Parlament! Kështu e preferon sovrani! Pastaj, edhe kjo puna e çifteve… nuk po luan rol gjinia! Barazi e plotë gjinore!

Nuk bisedojnë dot në Parlament , do të thoni ju se “Ajo”… nuk e thërret Parlamentin! Kërkon… unazat e fejesës së paku! Si garanci! Ose,kontrata paramartesore! Ah… merreni krejt këtë në kuptimin metaforik, ju lutem!

Por, Hëna po harron se kush bën dritë këtu! Kot përkundet në valët e veta! Kush sillet rreth kujt këtu?! EULEX-i po heton gjykatat vendore, apo e kundërta?! Kush është i korruptuari e kush i jep paratë? Qeveria apo Parlamenti – kush i heq veshin kujt? Parlamenti përfaqëson popullin, e ambasadat përfaqësojnë miqtë! Kush është sovrani? Kush po e ndjek kë: krimi shtetin apo shteti krimin? Po ndiqen vëlla, po ndiqen! Mos u bëjë cikërrimtar !

Po kush e loz lojën: krimi vendor apo ndërkombëtar? Biznesi vendor apo ndërkombëtar?! Prapë ti? Shteti ynë është biznes or vëlla! Vendor edhe ndërkombëtar! Eh, sa shumë përgjigje pa pyetjet e duhura, do të thoshte dikur diplomati dinak i cili shkroi librin më të trashë për diplomacinë!!

Kështu kanë rënë vetë, në gropën që e bënë për… tjetërkënd! Kanë rënë dhe po rrinë! U kënaqën! As andej e as këndej! Edhe Njutni po rri bashkë me ta… me gjithë inercinë!

Kjo, legjenda, gjithsesi nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me politikën. Pra, legjenda për Hënën e cila u kap në vetëhipnozë nga drita të cilën po e reflektonte! Apo, thënë ndryshe: Meduza që po shihej në pasqyrë u ngri! As andej, as këndej! As e do kush, as e frikëson më kënd! Kush e di nga cila legjendë duhet nxjerr formula magjike! Gjithsesi nga Olimpi, vëlla!

“Nuk po sillet ! Së paku të sillej në rreth”, po më thoshte një mik nga opozita e dikurshme, e cila tash pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë nuk është më as në opozitë! Por, as pozitë nuk është!

Thjesht, ka ngecur! Tashmë gjendja është e tillë sa të gjitha frazat që kanë të bëjnë me ngecjen, bllokadat, janë shlyer nga përdorimi! As rrethrrotullimet më nuk paraqesin metaforë politike! Aq e koklavitur do të thoni ju? Më shumë se “nyja gordiane”? Më shumë! Tash as shpatën nuk e përdor dot! Nuk të lejojnë…! Peace brother!

Po të ishte Galileo shqiptar, ai nuk do të thoshte kurrqysh atë frazën e njohur ! Do të thoshte: “ Nuk ka qare pa u sill…”! Apo, do të madhërohej Njutni me atë ligjin e tij të famshëm për inercinë. “E shtyn, ecë! Pra… sillet! ” ! U gjet fajtori! Ambasadat, nuk po e “cillin”!

Nejse, përfolëm këtu rregulla të demokracisë prej Aristotelit e këndej, por në fund të fundit kush është Aristoteli me na shitë mend neve?! Le të shoh ai skllevërit e vet!

Sa për ne… përfundimisht demokracia jonë nuk është “perpetum mobile”! Nuk sillet vet! Nuk ka vullnet! Populli nuk ka vullnet … të vetin! Nuk sillet … pa e silll të tjerët! Pa e shty!

Kështu, me inerci shekullore, populli ulë kokën, por… i forti e kthen ujin përpjetë!

Do të pyetet populli edhe njëherë?! Pastaj po të jetë nevoja edhe njëherë, kështu derisa të qëllojë përgjigjen e duhur! Përgjigjja në pyetjen themelore e jep zgjidhjen e pakontestueshme! E pyetja është: “Kë (s’)e duan ambasadat në Qeveri”? Përse po na mundoni? Na tregoni!

Tash, krejt populli nuk mund të ngjitet në Olimp, pardon në “Dragodan”! Demokracia jonë nuk është e drejtpërdrejtë! Është demokraci përfaqësuese! As deputetët nuk na përfaqësojnë dot! Janë shumë! Qeveria po! Kryeministri shkon në kodër… dhe sjell ligjet! Kështu pak a shumë thotë edhe Kushtetuesja!

E populli?! Në fund të fundit, si gjithkund, populli edhe këtu do të votojë ashtu si të duan çlirimtarët. Pra, ambasadat!

Nuk sillet do të thoni! Nuk e bënë Qeverinë për gjashtë muaj, nuk e bënë Parlamentin dhe mendove se ky është fundi i botës? Jo! Shqipja nuk është varur asnjëherë nga Qeveria! Ne jemi të pavarur! Qeveria punët e veta, ne të tonat! Diçka ngjashëm si në Itali! Kur mafia teshtinë, Qeveria bie! Pastaj negociatat ! Pastaj… qytetarët bëjnë tifozin! Votime!

Kjo javë do na ikë me stres, u pa puna! Do të sillet?! Mbrëmë po dëgjoja se ata po bisedojnë nën dritën e Hënës! Apo është rren? Epo, ku të llafosin tjetër?

Çka po thua, Galileo?

Unë… preferoj Njutnin! S’ka çare pa u sill!

Exit mobile version