Site icon Telegrafi

Megjithatë, konfirmohet pjesëmarrja e serbëve në inaugurimin e Thaçit

Kryetari i subjektit politik “Aktivna Srbija” (Serbia aktive), Dushan Janjiq do të merr pjesë në inaugurimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në Prishtinë, të premten, shkruan gazeta  “Veçernje novosti”.

Siç i ka thënë kësaj gazete, Janjiqi ftesën e ka marrë përmes Zyrës ndërlidhëse të Prishtinës në Beograd, të shkruar në gjuhën serbe, në alfabetin latin transmeton “Zeri.info.

“E kuptoj pse në këtë inaugurim nuk shkon presidenti Nikoliq ose kryeministri Vuçiq, sepse akti i tyre mund të interpretohet si njohje e shtetësisë së Kosovës. Mirëpo, unë pa hezitim kam vendosur të shkoj, ngase kam partinë në Kosovë që do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Janiq nuk sheh asgjë kontestuese në vendimin e tij, ngase “Lista serbe”, që ka mbështetjen e Qeverisë së Beogradit, i ka deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës, të cilët i kanë bërë kuorumin Thaçit për president, si dhe ministrat në Qeverinë në të cilën Thaçi ishte zëvendëskryeministër.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, lidhur me ftesën e Hashim Thaçit për të marrë pjesë në inaugurimin e tij si president i Kosovës, ka thënë se nuk mund të shkojë në inaugurimin e kryetarit të shtetit që nuk ekziston, transmeton “Zeri.info

“Po e shoh se ajo [ftesa] ka arritur në medie, por unë s’e kam vendin atje për shkak se unë jam kryetar i Serbisë”, ka thënë Nikolliq për mediat serbe.

Sipas tij, shteti i pavarur i Kosovës nuk ekziston dhe se inaugurimi i Thaçit bëhet në kuadër të “institucioneve të përkohshme të Prishtinës dhe sipas Kushtetutës së Kosovës”.

“Madje edhe sipas Rezolutës 1244 thuhet se atje mund të bëhet çdo gjë, por jo i shtetit të pavarur”, ka thënë ai.

Exit mobile version