Goditja e bën efektin e kundërt nga ajo që prindërit zakonisht dëshirojnë të arrijnë
Një hulumtim tregon që goditja është e lidhur me rezultatet e njëjta negative si edhe te keqtrajtimi, vetëm në një masë paksa më të vogël, kanë konkluduar autorët e studimit të paradokohshëm.
Kjo ndodh zakonisht kur një prind i nervozuar apo i frustruar godet, shkund ose hedh tutje fëmijën. Dëmtimet nga abuzimi fizik vijnë si pasojë e goditjes me grushte, shkelma, rrahjes, djegies dhe çdo veprim tjetër që shkakton dëmtim tek fëmija.
Goditja me shuplakë shpesh konsiderohet si një veprim që i shërben disiplinimit të fëmijës, por që në fakt është një formë e abuzimit të fëmijës, pavarësisht nëse lë shenja apo jo, transmeton Telegrafi.
Fëmijët të cilët ndëshkohen nga prindërit, shpesh janë të dëgjueshëm vetëm për momentin, që te prindërit mund të krijon bindjen se dënimi është masë e mirë edukative. Megjithatë, është më se evidente se fëmija në vete akumulon hidhërimin dhe frustracionin.
Kur fëmija gjendet në shkollë apo kur është bashkë me shokët e vet, ai me siguri do të shfrytëzojë mënyrën e shprehjes të cilën e ka mësuar në shtëpi, pra me dhunë.
Fëmija asnjëherë nuk duhet të goditet, madje edhe kërcënimi me shkakton frikë dhe formë të dhunës. Çfarëdo formë e dënimit fizik zvogëlon vetërespektimin e fëmijës!
Sa më shumë të zgjasë abuzimi, aq më serioze do të bëhen dëmtimet tek fëmija dhe akoma më e vështirë do të bëhet eliminimi i sjelljes abuzive.
Fëmija bëhet i tërhequr, u shmanget prindërve, e me këtë dëmtohen marrëdhëniet e tyre të ndërsjella.
Kur prindërit përderisa i rrahin fëmijët thonë: “Këtë e bëj nga dashuria” apo “Kjo më dhemb më shumë se ty”, fëmija fillon të përziejë dashurinë dhe dhembjen dhe vendos lidhje ndërmjet dashurisë dhe dhunës.
Dajaku nxit zinxhirin e dhunës familjare. Si pasojë e dajakut zhvillohen disponimi armiqësor, tërbimi dhe dëshira për hakmarrje. Ashtu siç rritet fëmija, dajaku duhet të bëhet më i fuqishëm.
Fëmija i dhunuar fizikisht, psikologjikisht, vuan emocionalisht nga kujdesi jo i vazhdueshëm prindëror dhe nga frika e dhunimeve të tjera që mund të pasojnë.
Fëmija i cili përherë i është nënshtruar kërcënimeve fillon të mendojë se është i pavlerë, i padashur dhe i padëshiruar.
Është kjo arsyeja që ata bëhen të ftohtë, të egër dhe shpërthyes të paparashikueshëm. Në disa raste ata janë apatikë, pa dëshira ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre.
Hulumtimet tregojnë se fëmijët të cilët rrihen nga prindërit, shpesh si të rritur rrahin partnerët dhe fëmijët e vet!
Kontrolloni hidhërimin tuaj! Shfrytëzoni fjalë dhe masa në vend të dënimit fizik. Fëmijët tuaj do të mësojnë më shumë dhe më shumë do t’ju respektojnë! /Telegrafi/