Edhe pse Oborri mbretëror ka në dispozicion një numër të madh personeli, si duket me ardhjen e aktores amerikane Meghan Markle, po mungon fuqia punëtore. Për këtë shkak Pallati Kensington ka publikuar një shpallje për vende të reja pune.
Popullariteti i ish-aktores, së shpejti do të jetë edhe dukeshë britanike, Meghan Markle, po rritet me shpejtësi të pakontrolluar, për ç’shkak Zyra mbretërore për marrëdhënie me media kërkon përforcim, transmeton Telegrafi.
Në të vërtetë, që kur është bërë edhe zyrtarisht e fejuara e princit Harry, Meghan ka filluar të marrë postë të panumërt elektronike si edhe letra të ndryshme të adhuruesve, të cilat personeli aktual as që po arrin fizikisht t’i lexojë dhe t’u përgjigjet atyre.
Duke pasur parasysh që edhe tre muaj do të jetë kurorëzimi mbretëror i vitit, pritet që numri i porosive të adhuruesve gjithnjë e më shumë të rritet.
Për të shkuar gjërat sa më mirë, Pallati ka publikuar shpalljen për asistent i cili do të merret me punët administrative i cili do t’i ofrojë përkrahje ekipit të tashëm, ndërkaq përparësi për këtë vend pune kanë femrat.
Si duket, në përpilimin e shpalljes ka marrë pjesë edhe vetë Meghan, e cila është e njohur për luftën për të drejtat e femrave që nga ditët më të hershme kur ishte tinejxhere.
Të rikujtojmë, kohë më parë Familja mbretërore britanike ka kërkuar edhe një specialist për rrjetet shoqërore, përkatësisht personin i cili do të merret me shkrimin e shpalljeve për Familjen mbretërore në internet dhe në rrjetet shoqërore, ndërkaq për këto shërbime është ofruar paga prej 56 deri 63 mijë euro në vit. /Telegrafi/