Telegrafi

Meghan Markle flet për vdekjen e George Floyd, ndërsa mban një fjalim para studentëve në “Immaculate Heart High School”

Dukesha e Sussex-it, Meghan Markle, ka mbajtur një fjalim emocional në diplomimin e studentëve të ‘Immaculate Heart High School’ në Los Angeles, ndërsa ka dënuar veprimet ‘e pakuptimta’ të racizmit.

“Jeta e George Floyd kishte rëndësi, ashtu siç kishte rëndësi edhe jeta e Breonna Taylor, ashtu si kishte rëndësi edhe jeta e Philando Castile, dhe ashtu si kishte rëndësi edhe jeta e Tamir Rice”, ka thënë 38-vjeçarja.

Tre personat e lartpërmendur nga Markle janë tre qytetarë afro-amerikanë që janë vrarë nga policia, njëjtë sikurse Floyd.

Meghan Markle (Foto: YouTube)

Teksa fliste rreth tyre, Megan tha: “Nuk dija çfarë të thoja. Dëshiroja të them gjënë e duhur dhe kisha frikë se mos do të gaboja. Por, e kuptova se në këtë rast heshtja është e vetmja përgjigje e gabuar”.

Lexo po ashtu Aktori i “Star Wars”, John Boyega flet për racizmin: Njerëzit me ngjyrë kanë pasur gjithmonë rëndësi

Krahas vdekjes së Floyd, ajo kujtoi edhe trazirat në pranverën e vitit 1992 pas rrahjes brutale të Rodney King.

“Kam qenë 11, ose 12 vjeç kur filluan trazirat në vitin 1992, sigurisht edhe në atë kohë u nxitën nga një akt i pakuptimtë racizmi. Më kujtohet shtetrrethimi dhe mbaj mend që nxitonim të ktheheshim në shtëpi. Qielli ishte i mbushur me tym dhe aroma e djegies ndihej kudo, ashtu siç shiheshin kudo edhe ndërtesat e djegura”, kujtoi aktorja.

 

Ky fjalim i saj u publikua fillimisht në revistën ‘Essence’, dhe më pas u shpërnda në tabloidet botërore. /Telegrafi/