Telegrafi

Megasamit i investimeve në Prishtinë, merr pjesë dhe Deutsche Bank

“European Finance Convention” dhe “Crimson Capital” i kanë bashkuar forcat për të organizuar këtë konferencë të madhe që do të mbledhë në një vend te vetëm investitorët dhe njerëzit e biznesit.

“Republika e Kosovës, e cila sapo ka shpallur pavarësinë e saj, ofron një numër të madh mundësish për investim dhe biznes. Kjo konferencë do t’i bëjë bashkë investitorët dhe kompanitë vendore, akterët kyç të Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e qeverive të huaja, komunitetin e donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Michael Gold, drejtor i kompanisë Crimson Capital.

Në këtë samit do të diskutohen tema të rëndësishme si qasja në financa, tregtia, investimet, agrobiznesi, përpunimi i drurit, teknologjia informative, materialet ndërtimore dhe ndërtimtaria, infrastruktura, privatizimi, mjedisi i biznesit, energjetika dhe minierat, mundësitë ekzistuese për biznes dhe investim, dhe klima e re politike dhe rajonale.

“Qëllimi i këtij samiti është të përhapim porosinë tek investitorët e huaj, kompanitë, institucionet e huaja financiare, dhe tek diaspora kosovare që, Kosova me të vërtetë është e hapur për biznes dhe është një destinim fitimprurës për investime, tregti, partneritet, ndërmarrje të përbashkëta, kontraktim të shërbimeve dhe prodhim”, ka thë Gold.

Aty do të jenë investitorët e huaj, kompanitë e huaja, kompanitë vendore dhe investitorët vendor, bankat, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të qeverive të huaja dhe donatorët. /Telegrafi/