Telegrafi

Megaoperacioni, sekuestrohen 7 ton cigare kontrabandë në Itali

Autoritetet italiane kanë sekuestruar rreth 7 tonë cigare kontrabandë e trafikuar nga Afrika si dhe kanë vënë në pranga 17 persona.

Megaoperacioni i Guardia di Finanza, i cili u ekzekutua të mërkurën datë 20 nëntor e u bë publik mëngjesin e sotëm, çoi në kapjen e dy anijeve në afërsi të ishullit të Sicilisë që trafikonin 6.7 tonë cigare kontrabandë të prodhuara në Tunizi e në Emiratet e Bashkuara si dhe të rreth 160 mijë euro para të gatshme.

Me anë të mjeteve detare e ajrore, roja bregdetare italiane identifikoi lundrimin e çuditshëm të dy anijeve rreth 20 metra të gjata, të cilat u ndalën në limitet e ujërave territoriale në dy pika të ndryshme të kanalit të Sicilisë.

Më pas autoritetet italiane dokumentuan se gjashtë gomone të shpejta të nisura nga brigjet siciliane u morën me transportin e cigareve kontrabandë nga dy anijet drejt tokës, përcjell oranews.tv.

Megaoperacioni çoi në arrestimin e 17 personave, 11 anëtarëve të ekuipazheve të anijeve me kombësi egjiptiane e libiane si dhe të 6 shtetasve italianë banues në Trapani e Sirakusa.

Guardia di Finanza informon se cigaret e sekuestruara do të sillnin një përfitim rreth 1 milionë euro.

Nga janari i vitit 2019 e deri më sot në Itali janë sekuestruar rreth 20 tonë cigare kontrabandë e janë vënë në pranga 46 persona.