Në edicionin e dytë të këtij turneu në një ambient fantastik morën pjesë 8 skuadra të cilat luftuan për shpërblimin kryesor 1,000 euro, ndërsa ekipi nën-kampion i inkasoi 500 euro.
Fitues i këtij edicioni është skuadra ‘Mega Sport’ e cila në finale e mposhti skuadren e Policisë së Kosovës, e cila për të dytin vit rresht dështoi ta fitoi shpërblimin kryesor.
Rezultati i ndeshjes finale ishte 4:1 për Mega Sportin, skuadër e cila dha portierin dhe lojtarin më të mirë.
Huar Morina u shpall futbollisti më i mirë i këtij turneu, ndërsa Nuhi Krasniqit i takoi epiteti i portierit më të dalluar.
Turneun të hapur e shpalli kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, pasi ai mbështetet nga Federata e Futbollit të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës.
Në ndeshjen e parë u ballafaquan BB Llapi dhe Menar Petrol. Fituese doli skuadra nga Drenasi e cila triumfoi falë dy golave të realizuara nga Arben Zeka dhe Artim Kastrati të shënuar në periudhën dy dhe tre.
Në ndeshjen e dytë Policia e Kosovës e mposhti skuadrën e IPKO-s, po ashtu me rezultat 2:0. Me dy gola nga Daut Geci në periudhën dy dhe tre, skuadra finaliste e edicionit të shkuar u kualifikua në finale.
Në duelin e tretë çerek-final, ekipi kampion, Bamboo, mposhti skuadrën e Gazetarëve Sportiv, por vetëm pas ekzekutimit të penaltive, pasi që loja e rregullt tre herë nga 8 minuta përfundoi me rezultat të barabartë, 2:2.
Ridvan Zeneli dhe Suad Keçi realizuan për skuadrën e Bamboos, ndërsa Fatos Preniqi dhe Mirsad Dedinca realizuan për skuadrën e Gazetarëve. Në penalti për këtë ekip dështoi Mirsad Dedinca, ndërsa Bamboo fitoi 4:3.
Në duelin e katërt u ballafaquan, Mega Sport dhe Korneri Channel, duel i cili po ashtu ishte atraktiv dhe fituesin e përcaktoi pas ekzekutimit të penaltive pasi që loja e rregullt përfundoi me rezultat 2:2.
Adem Neziri dhe Samir Krasniqi shënuan për Mega Sportin, ndërsa për Korneri Channel realizuan Hetem Sogojeva dhe Astrit Rrahmani. Në penalti Mega Sport fitoi me rezultat 3:1
Në gjysmëfinalen e parë Policia e Kosovës zhvilloi lojë të barabartë me skuadrën Menar Petrol më çka u detyruan t’i ekzekutojnë penaltitë për fitore. Endrit Zeka shënoi për Menar Petrollin, ndërsa Daut Geci për Policinë e Kosovës. Në penalti ekipi i Policisë u tregua më i saktë 4:3, duke e siguruar kështu për të dytin vit me radhë finalen e këtij turneu.
Edhe gjysmëfinalja e dytë ndërmjet skuadrës Bamboo dhe Mega Sport përfundoi pa fitues pas kohës së rregullt me çka penaltitë edhe këtu përcaktuan fituesin. Karakteristikë e këtij dueli ishte se nuk u shënua asnjë gol gjatë lojës së rregullt, me çka kjo njëherësh ishte ndeshja e vetme pa gola në këtë turne. /Telegrafi/