Telegrafi

MEF raporton para Komisionit Evropian

Në këtë takim, ministri Shala me bashkëpunëtorët e tij raportuan para delegacionit të Komisionit Evropian mbi zhvillimet e fundit ekonomike si dhe projeksionet afatmesme.

Më specifikisht, raportimi u bazua në prezantimin e zhvillimeve të fundit makro-fiskale duke u fokusuar në ekzekutimin e buxhetit të vitit 2010 dhe planifikimin për vitin 2011, procesin e harmonizimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve me marrëveshjen e arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe rrjedhën e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Për më tutje para Komisionit Evropian, përfaqësuesit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave raportuan mbi përmbushjen e veprimeve paraprake të përcaktuara në marrëveshjen e arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Njëkohësisht gjatë këtij takimi u konstatua që të gjitha kushtet e përcaktuara nga Komisioni Evropian për disbursimin e pjesës së parë të mbështetjes direkte buxhetore nga ky institucion tashmë janë përmbushur. Aprovimi formal i shpërndarjes së këtyre fondeve nga ana e Komisionit Evropian pritet të ndodhë pas aprovimit formal të Programit me FMN nga ana e Bordit të këtij institucioni, gjatë muajit korrik të këtij viti.

Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Edgardo Ruggiero dhe përfaqësuesi i ICO-së, Andrea Capussela. /Telegrafi/