Telegrafi

MEF, premton luftë kundër ekonomisë joformale

Grupi i përhershëm punues për parandalimin e ekonomisë joformale në Kosovë, i udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi, ka diskutuar sot mundësinë e bashkëveprimit të institucioneve vendore dhe atyre evropiane, në luftë kundër ekonomisë joformale dhe formave të tjera të mosrespektimit të ligjit.

Thaçi tha se, problemi i ekonomisë joformale dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit, janë pjesë themelore të prioriteteve të qeverisë. Njëkohësisht, ai ftoi të pranishmit, të angazhohen maksimalisht në këtë drejtim, në mënyrë që, siç ka thënë ai, në Kosovë të ketë ekonomi sipas konkurrencës së lirë.

Ahmet Shala, ministër i Ekonomisë dhe Financave është shprehur i bindur se viti 2010 do të jetë vit në të cilin, institucionet e Kosovës do të kenë në fokus luftën kundër ekonomisë joformale.

“Unë besojë se në vitin 2010, të gjitha institucionet e Kosovës do të jenë në krye të detyrës për të luftuar format e ekonomisë joformale, ekonomisë së zezë, formave të tjera të krimit ekonomik dhe mosrespektimit të ligjit”, tha ai. Sipas Shalës, Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës, këtë vit kanë punuar fuqishëm kundër disa grupeve të interesit.

Ai tha se këto dy institucione, pa përjashtuar në këtë kontest edhe prokurorinë, duhet të identifikojnë masat e duhura për të vepruar edhe më fuqishëm sa i përket kësaj çështje në vitet e ardhme.

“Institucionet gjyqësore duhet të jenë më të efektshme në luftë kundër ekonomisë joformale dhe formave tjera të mosrespektimit të ligjit dhe nevojitet shkallë më e lartë profesionale e inspektorëve“, ka thënë ai, duke shtuar se, edhe këta të fundit i përcjell ligji.

Shala, ka konsideruar problem çështjen e kufirit në pjesën veriore të vendit, mirëpo tha të besojë se pas funksionalizim të EULEX-it do të ketë lëvizje pozitive.