Telegrafi

MEF, paratë e buxhetit janë investuar sigurt

Komunikata është reagim ndaj artikujve në gazetat ditore të datës 23 qershor 2009, lidhur me kinse tërheqjen e shumës prej 266 milion euro nga Buxheti i Kosovës dhe konvertimin e tyre në letra me vlerë, bërë nga Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës. 

"Departamenti i Thesarit, Ministria për Ekonomi dhe Financa dhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës japin sqarimin si në vijim. Të gjitha mjetet e Fondit të Konsoliduar të Kosovës prej themelimit të tij (nga viti 2000) e tutje vazhdojnë të investohen përmes Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në pajtim me Rregulloren e UNMIK-ut ", thuhet në komunikatë. 

Gjithashtu sipas saj, këto investime i nënshtrohen Ligjit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe politikës së investimeve e cila bazohet në parimet e sigurisë, likuiditetit dhe kthimit nga investimet.

"Në aspektin e maturitetit këto mjete janë te investuara në afate të shkurtra dhe si të tilla përmbushin në mënyrë të përpiktë kërkesat e Buxhetit të Kosovës". /Telegrafi/