Telegrafi

MEF-i e ndihmon Termokosin

Vendimi i ministrit Shala vjen në kohën kur Termokos ka probleme të rënda financiare, kur po rrezikohet ngrohja e qytetit, e veçanërisht e institucioneve me rëndësi të veçantë, si është QKUK-ja, apo objektet shkollor. Duke u arsyetuar me shkurtimet buxhetore, kësaj kompanie nuk i ka ofruar ndihmë as Kuvendi Komunal i Prishtinës, ndonëse për këtë ai ka përgjegjësi ligjore.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave (MEF), në largim Ahmet Shala, tha se nuk e ka parë të arsyeshëm që qytetarët të mbesin pa ngrohje. “Nga kursimet në projektet e tjera kam lejuar që ‘Termokosit’ t’i transferohen 153 mijë e 420 euro, ashtu që ajo të ofroj shërbime më cilësore, kurse qytetarët, përkatësisht pacientët e QKUK-së të mos mërdhijnë gjatë ditëve kur temperaturat janë të ulëta”, tha Shala.

Ai tha se ndihma financiare për Termokos-it nuk krijon implikime të reja buxhetore. /Telegrafi/