Telegrafi

MEF favorizon padrejtësisht drejtorin aktual të ATK-së

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, të mërkurën gjatë një konference për media, ka thënë se thirrja e kësaj konference është bërë për të sqaruar pozicionin e Qeverisë së Kosovës për çështjen e drejtorit të Administratës Tatimore dhe në përgjithësi dhe për të shfletuar disa nga të arriturat e ATK-së të udhëhequra nga drejtori aktual Naim Fetahu.

Sipas tij, në bazë të ligjit për ATK-në drejtori i këtij institucioni përzgjidhet nga ministri i MEF-it, me vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe me pëlqimin e Përfaqësuesit Ndërkombëtar Civil në Kosovë, Pieter Feith. 

Por nga ana e ICO është konsideruar se ky proces duhet t’i nënshtrohet procesit të konkurrencës për të pasur mundësi që drejtori i ATK-së të ushtrojë detyrën e vet në afat më të gjatë.

Ministri Shala ka theksuar se kjo konkurrencë nuk e zbeh punën e drejtorit Fetahu.

Ai ka përmendur disa nga të arriturat e ATK-së, ku krahasuar me vitin 2008 tejkalimi i të hyrave shkon në 30 %.

“Në muajt e njëjtë të vitit 2009-2008 Naimi ka ardhur diku në prill dhe këta muajt e këtij viti, janar-shkurt me vitin e kaluar ka një tejkalim diku 30 %. Kjo është vula më e mirë konsideroj e të ardhmes e Naim Fetahut në këtë administratë dhe unë kam dashur që para jush të shpreh mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës dhe MEF për të vazhduar Naim Fetahu për udhëhequr ATK-në”, ka thënë ai duke shtuar se në të njëjtën kohë të merr pjesë në konkursin i cili do të hapet konform marrëveshjes që kemi pas me ICO.

Ndërsa drejtori i ATK-së, Fetahu ka thënë se prej se është drejtor është paraqitu raporti para mediave për të arriturat. Ai ka theksuar se është i gatshëm të hyjë në konkurrencë.

“Më ka bërë shumë të lumtur. Jam i gatshëm të hyjë në konkurrencë me kundërshtarët me këdo qoftë dhe do t’i nënshtrohem çdo konkurrence dhe besoj që bashkë do të jemi deri në fund dhe janë edhe 3 muaj për të treguar performancat e mia dhe shohim se si do të vendosin. Më takon të kryej punën time dhe jam munduar të kryej punën time”, ka theksuar Fetahu. /Telegrafi/