Telegrafi

Medvedev jep dorëheqje, zbulohet “plani” i Putinit

Kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev i ka dorëzuar dorëheqjen e tij presidentit Vladimir Putin të mërkurën.

Sipas mediave ruse, përcjell Telegrafi, Putin ka falënderuar Medvedev për shërbimin e tij, por vuri në dukje se kabineti i kryeministrit nuk arriti të përmbushë të gjitha objektivat e përcaktuara.

Megjithatë, mediat ruse thanë që Putin planifikon ta emërojë Medvedev si zëvendës të Këshillit Presidencial të Sigurisë.

Medvedev, një bashkëpunëtor i ngushtë i Putinit, ka shërbyer si kryeministër i Rusisë që nga viti 2012. Ai kaloi katër vjet para kësaj si president në periudhën 2008-2012.

Kështu, Putin ka kërkuar nga anëtarët e Kabinetit të Medvedev që të vazhdojnë të punojnë derisa të formohet një Kabinet i ri.

Dorëheqja e Medvedev vjen pas fjalimit vjetor të Putin më herët të mërkurën.

Gjatë fjalës së tij, udhëheqësi rus propozoi ndryshimin e kushtetutës për të rritur kompetencat e kryeministrave dhe anëtarëve të kabinetit.

Dhe një masë e tillë e propozuar shihet si pjesë e përpjekjeve të Putinit për të krijuar një pozicion të ri të pushtetit që ai të qëndrojë në krye – pasi mandati i tij aktual si president përfundon në 2024. /Telegrafi/