Site icon Telegrafi

Mediumi zviceran shkruan për vrasjen e pronarit të një garazhi në Lucern, që u vra në një lokal në Klinë

“Një pronar garazhi nga kantoni i Lucernit është vrarë me armë zjarri në një lokal në Kosovë. Autori mësohet se po ashtu jeton në Zvicër dhe vjen nga i njëjti ambient familjar”.

Kështu shkruan në fillim të shkrimit të mediumit zviceran, Blick.ch, i cili ka raportuar gjithashtu për vrasjen e ndodhur të hënën, në një kafene në Klinë të Kosovës, përcjell Telegrafi.

Bëhet fjalë për një ngjarje nga e cila – sipas raportimeve – ka mbetur i vdekur Anton Prela i cili dyshohet se u qëllua për vdekje nga Tush Frroku.

Siç shkruan mediumi zviceran, ngjarja ndodhi në orën 16:40 të së hënës, kur Taulant F.* (48) hyn në Coyote Lounge Bar në Klinë, një qytet i vogël në veri-perëndim të Kosovës – i armatosur me pistoletë.

Dhe ai kishte vetëm një synim: 47-vjeçarin Liridon P.*, pronar garazhi nga kantoni i Lucernit. Ai supozohet të ishte me pushime në Kosovë.

Theksojmë se emrat janë ndryshuar nga mediumi zviceran.

Lexo po ashtu Vrasja në Klinë, pamje kur i dyshuari ikë me armë në dorë në mes të qytetit

“Taulant F. qëllon shtatë herë në drejtim të viktimës së tij. Liridon P. është plagosur aq rëndë saqë vdes në vendin e krimit. Videot e kamerave të vëzhgimit tregojnë mysafirët e tmerruar duke ikur. Edhe autori del nga lokali me armën në dorë. Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale mësohet se tregojnë Taulant F. në arrati. Policia fillimisht nuk e konfirmoi vërtetësinë”, shkruan më tej Blick.ch.

Ndërkohë, vë në pah mediumi zviceran, autori i dyshuar, del jashtë, ndal një makinë, kërcënon shoferin dhe largohet.

“Sipas mediave kosovare, edhe ai thuhet se jeton në Zvicër”, thekson Blick.ch.

Madje, duke cituar mediat lokale, Blick.ch, kujton se viktima dhe autori vijnë nga e njëjta prejardhje familjare. /Telegrafi/

Exit mobile version