Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që të mbrojë veten nga një arrest shtëpiak në Slloveni, përpara një gjykate speciale në Hagë.
Kështu së paku shkruan mediumi slloven, necenzurirano.si, sipas të cilit ky informacion është konfirmuar ditët e fundit nga disa burime nga Sllovenia dhe jashtë saj, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, vë në pah mediumi slloven, selia e gjykatës speciale të krimeve të luftës në Kosovë në Hagë, ku Thaçi aktualisht është në paraburgim, nuk pranoi të komentojë.
Sidoqoftë, shkruan më tej mediumi në fjalë, të dhënat në dispozicion të publikut nga dosja gjyqësore tregojnë se Thaçi aplikoi në gjykatë për lirim me kusht në dhjetor të vitit të kaluar.
Ai ra dakord për mundësinë e të qenit nën arrest shtëpiak gjatë gjykimit në zonën e një “vendi të tretë që nuk kufizohet me Kosovën”.
“Megjithëse në dokumentet gjyqësore nuk thuhet se cili shtet është, sipas informacionit tonë, zgjedhja e parë e Thaçit është Sllovenia”, shkruan necenzurirano.si.
Ish-presidenti i Kosovës gjithashtu supozohet ta ketë shikuar këtë mundësi përmes kanaleve të ndryshme me qeverinë sllovene, e cila duhet t’i garantojë Gjykatën Speciale se Thaçi nuk do të largohet nga territori i vendit (Sllovenia) gjatë gjykimit.
Por as Haga nuk i është përgjigjur pyetjes nëse Sllovenia ka ofruar tashmë një garanci të tillë.
Pyetjeve të gazetarëve të mediumit slloven në lidhje me Thaçin nuk i janë përgjigjur as nga Ministria e Punëve të Jashtme, e kryesuar nga Anze Logar. /Telegrafi/