Qeveria e Spanjës do të lejojë që Kosova të shfaqë flamurin dhe himnin e saj në ndeshjen kualifikuese të futbollit për kualifikueset e “Katar 2022” që do të zhvillohet më 31 mars në Sevilla.
Ditëve të fundit u raportua shumë nëse Spanja nuk do të lejojë shfaqjen e simboleve nga Kosova në ndeshjen kualifikuese, pasi vendin tonë e cilëson vetëm si territor dhe jo shtet.
Megjithatë, zërat tashmë janë shuar dhe drejtuesit e Kombëtares La Roja kanë bërë “mbrapa kthehu”.
Sipas mediumit të njohur El Confidencial, Qeveria e Spanjës do të lejojë që të shfaqet flamuri dhe të intonohet himni i Kosovës në ndeshjen kundër tyre, që do të zhvillohet më 31 mars në qytetin e Sevillas, përcjell Telegrafi.
Ky medium shton se “është një hap vendimtar në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi Spanja, e cila udhëheq grupin evropian të përbërë nga vetëm pesë vende, refuzon të njohë sovranitetin e territorit të Ballkanit”.
Përkundër faktit se nga Punët e Jashtme ata i tregojnë kësaj gazete se “politikisht kjo nuk modifikon asnjë pëllëmbë të pozitës së Spanjës ndaj Kosovës”, është e qartë se Spanja po relakson veton që mbajti fort deri në vitin 2019.
Në nëntor të 2018, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërcënoi të përjashtonte Spanjën nga gara për vendosjen e pengesave në pjesëmarrjen e Kosovës, duke detyruar një përjashtim emergjent me garat Olimpike të mbrojtura nga një dekret mbretëror i vitit 1982.
Ndryshe, FFK dhe FIFA kanë konfirmuar se ndeshja mes Kosovës dhe Spanjës do të zhvillohet sikurse të gjitha ndeshjet tjera dhe konform rregullave të vendosura nga instancat më të larta të futbollit botëror. /Telegrafi/