Mediumi bullgar “BGNES” njofton se personi që ka sulmuar sekretarin e klubit bullgar në Ohër, “Car Borisi i Tretë”, Ilija Spaseski është i lirë.
Spaseski aktualisht ndodhet në shtëpi, por me pasaportë të konfiskuar, ndërsa pas skadimit të afatit prej 30 ditësh gjykata i ka ndryshuar masën e “paraburgimit”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Më 19 janar, në një kafe-bar në Ohër, i akuzuari fillimisht është afruar te tavolina ku ishte ulur viktima dhe i ka tërhequr vërejtjen pasi është deklaruar bullgar.
Më vonë, kur viktima është larguar nga objekti dhe ka qenë duke lëvizur në drejtim të automjetit të tij, i akuzuari dhe një person tjetër i panjohur kanë filluar ta ndjekin, e kanë sulmuar dhe e kanë goditur me duar dhe këmbë në kokë dhe trup, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në aktakuzë./Telegrafi/