Festimet e Fitër Bajramit janë bërë në mënyrë shumë të ndryshme nga vitet e kaluara dhe kjo sigurisht për shkak të coronavirusit.
Në këtë drejtim, një artikull ka shkruar edhe mediumi britanik The Sun, sipas të cilit festimet u ndërprenë dhe miliona njerëz në mbarë botën mbetën në mbyllje, përcjell Telegrafi.
Siç kujton ky medium, Fitër Bajrami është një festë vjetore që shënon fundin e muajit të Ramazanit, gjatë së cilit 1.8 miliard myslimanë në botë agjërojnë çdo ditë nga agimi deri në perëndimin e diellit.
Ngjarja është një nga më domethënëset në kalendarin e Islamit, dhe zakonisht i sheh myslimanët të mblidhen me të dashurit e tyre për t’u lutur, për të ndarë ushqime dhe për të shkëmbyer dhurata.
Por festimet janë ndaluar këtë vit pasi autoritetet në mbarë botën përpiqen të ndalojnë përhapjen e coronavirusit.
Për shembull, shkruan The Sun, përcjell Telegrafi, në disa vende, përfshirë Turqinë, Irakun dhe Jordaninë, bllokimet e rrepta që kërkojnë njerëzit të qëndrojnë në shtëpi mbeten në fuqi.
Ndërsa fotografitë nga Xhamia e Madhe e Mekës në Arabinë Saudite, vendi më i shenjtë i Islamit, e cila normalisht do të ishte e plotë për Bajram, treguan xhaminë bosh.
Por edhe në vendet ku bllokimet kanë filluar të largohen, shumë xhami mbeten të mbyllura dhe tubimet e mëdha janë të ndaluara.
Në Malajzi, disa xhami janë rihapur dhe familjet janë lejuar të takohen, por tubimet fetare janë të kufizuar në 30 persona dhe tubime shoqërore të kufizuara në 20 persona.
Dhe në listën e vendeve të tilla gjendet edhe Kosova, vend për të cilin ka shkruar gjithashtu ky medium, duke publikuar një fotografi nga Xhamia e Madhe në Prishtinë, ku shihen disa imamë duke e falur namazin e Fitër Bajramit. /Telegrafi/