Site icon Telegrafi

Mediumi britanik: NATO ndërton bazë ajrore në Shqipëri, në vëmendje është edhe Kosova

Sipas mediumit britanik “Express.co.uk”, NATO-ja por rrit ndikimin e vetë në Ballkanin Perëndimor derisa po përgatitet të ngrejë një bazë ajrore – të parën në rajon, gjithashtu duke iu kërkuar vendeve të Ballkanit që t’i bashkohen zyrtarisht aleancës.

Siç shkruan tutje ky medium, përcjell Telegrafi, më 4 gusht, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se aleanca synon të ndërtojë bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor afër qytetit të Kuçovës, punime të cilat pritet të fillojnë gjatë këtij viti.

Po sipas kryeministrit Rama, zyrtarët po diskutojnë me SHBA për “modernizimin e kapaciteteve ajrore shqiptare”.

Ndryshe, shkruan mediumi britanik, Shqipëria u bashkua me NATO-n në vitin 2009 dhe ende po zëvendëson armët e vjetruara, duke shtuar se vendi shtrihet në Detin Adriatik dhe Jon, në veriperëndim të Greqisë.

Në këtë drejtim, kryeministri Rama shkroi në faqen e tij në Facebook se Këshilli i Atlantikut të Veriut i NATO-s do të investojë 50 milionë euro.

Siç bëhet e ditur, kjo bazë përdoret për furnizimin e ajrit, mbështetjen logjistike, patrullimin e ajrit dhe trajnimin, ndërsa baza do të përdoret gjithashtu nga forcat ajrore shqiptare.

Përveç kësaj, mediumi britanik vë në pah faktin se zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rose Gottemoeller, tha se NATO mbështet reformën në Kosovë, duke përfshirë krijimin e forcave të veta të rregullta të armatosura.

Sipas Express.co.uk, BE gjithashtu ka ndihmuar në zgjerimin, pasi Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë shtete kandidate për në BE.

Bosnja dhe Hercegovina paraqiti zyrtarisht një aplikim për anëtarësim në BE në 2016.

Gjithashtu, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë nënshkruese të Marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit me bllokun – i cili ka klauzola ushtarake.

Ekziston gjithashtu një përpjekje për të reduktuar varësinë energjetike të rajonit ndaj Rusisë.

Projekti i tubacionit Trans-Adriatik (TAP) është në fazën e ndërtimit dhe përfundimisht do të shtrihet nga Deti Kaspik në Shqipëri, si dhe në veri drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. /Telegrafi/

Exit mobile version