Cështja do të gjykohet nga Kolegji penal me relatore Evelina Qirjako. Gjykata e Lartë do të shqyrtojë të hënën çështjen duke tentuar të arrijë pajtimin mes palëve, sikurse parashikohet nga ligj.Nëse i mbijetuari i tragjedisë tërhiqet, atëherë çështja mund të pushohet, në të kundërt, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë dosjen për të vendosur nëse ka shkak ligjor, që t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit republikan Fatmir Mediu dhe ta gjykojë atë.
I mbijetuari i tragjedisë, më 17 shkurt 2011 iu drejtua gjykatës së Tiranës në cilësinë e të dëmtuarit akuzues. Zyber Lela akuzon ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe të pandehurit e tjerë të dosjes Gërdeci, për plagosjen e rëndë që pësoi nga shpërthimi tragjik. Për shkak se një prej personave që akuzonte Zyber Lela, pikërisht Fatmir Mediu gëzon imunitetin e deputetit, gjykata e Tiranës ia kaloi dosjen Gjykatës së Lartë për competence, raportoi BW.
Gjykata e Lartë e pushoi dosjen penale ndaj Mediut, për shkak të imunitetit që gëzonte si deputet. Me të njëjtin argument u rrëzua dhe kërkesa e dy të mbijetuarve të tjerë të tragjedisë, Roxhers Durda dhe Alketa Azizaj. Tragjedia e Gërdecit u mori jetën 26 personave të pafajshëm, disa prej tyre punonjës të punishtes së demontimit të armëve. Të plagosur mbetën 300 të tjerë./Telegrafi/