Site icon Telegrafi

Medina Kutleshi e Klubit të Atletikës “Llapi” zgjedhet sportistja e vitit në Podujevë

Në një atmosferë festive u mbajt manifestimi tradicional i Sportistit të Vitit, një ngjarje e veçantë që synon nderimin e arritjeve më të mëdha sportive.

Në manifestimin e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ku ishin të pranishëm kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi, nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, kryesuesi i Kuvendit Komunal Hilmi Hoxha, drejtorë komunal, sportistë, trajnerë, punëtorë sportivë dhe donatorë llapjanë.

Kryetari Bulliqi mbajti një fjalë rasti ku përshendeti të pranishmit duke shprehur mirënjohjen për kontributin e tyre në sport, duke theksuar rëndësinë e këtij manifestimi, i cili është jo vetëm një mundësi për të festuar arritjet e vitit, por edhe për të motivuar brezat e rinj që të ndjekin shembujt e këtyre sportistëve të shquar.

“Në këtë ceremoni, ne jo vetëm që shpërblejmë më të mirët, por edhe festojmë talentin e rinisë sonë, që përfaqëson të ardhmen e sportit në komunën tonë dhe më gjerë. Talenteve të reja që po shpërblehen sot dua t’u them: vazhdoni të ëndërroni dhe të punoni me përkushtim. E ardhmja është e juaja”, tha kryetari Bulliqi.

Fjalë rasti mbajti edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, e cila përgëzoi organizatorët e manifestimit dhe sportistët për rezultatet e arritura.

Medina Kutleshi i “KA Llapi” zgjedhet sportistja e vitit në Komunën e Podujevës.

Vendi i dytë i takoi Aid Curri nga klubi i karatesë – KK Besa, kurse vendi i tretë i takoi Diar Vokrri nga KF – Llapi.

Klubi i vitit 2024 u zgjedh “Atletika”, kurse trajneri i vitit 2024 u zgjedh Lumbardh Shala KA-Llapi, gazetar i vitit u shpall Enver Hyseni ndërsa punëtorët sportiv 2024, Blerim Emini nga KF-Podujeva dhe Muhamet Selmani KH –Llapi.

Donatori sportiv i vitit 2024 u shpall “Baren Baog A.G, gjyqtari i vitit u zgjedh Edmond Zeqiri, ndërsa pedagogu sportiv 2024 u shpall Safet Rrahimi.

Me mirënjohje post mortum u nderuan Fazli Llugaliu, Xhafer Zeqiri dhe Hamit Beqiri.

Me mirënjohje u nderuan edhe sportistë të kategorive të reja, punëtorë sportive dhe veteran. /Telegrafi/

Exit mobile version