Janë dorëzuar medikamente esenciale me vlerë prej 150 mijë dollarësh në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar mes Aksionit për Nëna dhe Fëmijë dhe Direct Relief muaj më parë, dhe e mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, bëri të mundur që sot të dorëzohen medikamente esenciale në vlerë të 150,000 dollarësh në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Fondacioni jonë ka arritur marrëveshje me organizatën ‘Direct Relief’ për të mbështetur me medikamente dhe pajisje mjekësore spitalet anembanë Kosovës që ofrojnë shërbime për nënat dhe fëmijët. Dorëzim pranimi i donacionit të pare në vlerë prej 150,000 dollarësh u bë sot në depon e barnatores qendrore në QKUK, duke shpresuar se ky të jetë donacioni i parë nga shumë të tjerë që priten të vijnë në të ardhmen në Kosovë”, u shpreh Albiona Beha nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, raporton KP1.
Sipas njoftimit, marrëveshja e bashkëpunimit mes ANF-së dhe Direct Relief siguron që kjo e fundit të dhurojë donacione të materialeve mjekësore, duke përfshirë edhe medikamentet, në mënyrë të vazhdueshme për Kosovën. Aksioni për Nëna dhe Fëmijë do të sigurojë pranimin, mirëmbajtjen, ruajtjen, dhe shpërndarjen e donacioneve të pranuara.
“Ndihma që po na vjen nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është për t’u vlerësuar dhe ju jemi shumë mirënjohës fondacionit dhe gjithë partnerëve të tij”, deklaroi Myrvete Pacarada, drejtoreshë e Klinikës Gjinekologjike Obstetrike në QKUK.
‘Direct Relief’ është një organizatë jo-fitimprurëse në SHBA dhe punon drejt mbështetjes së aktiviteteve të partnerëve të saj duke ofruar materiale esenciale dhe pajisje mjekësore për vendet në zhvillim. Arritja e këtij kontingjenti të parë në Kosovë u bë e mundshme falë donacioneve të mbledhura nga ngjarja “Të Vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët”.