Lidhja satelitore ka qenë diçka e madhe në industrinë e telefonave të mençur në vitin 2023, me Qualcomm që prezantoi “Snapdragon Satellite” për telefonat inteligjentë në janar dhe Samsung në anën tjetër debutoi me teknologjinë për çipat Exynos.
Tani, MediaTek po parashtron planet e saj për lidhjen satelitore, të cilat do të shfaqen në pajisjet aktuale shumë shpejt.
Në MWC 2023, MediaTek po njofton mbështetjen për Rrjetin Jo-Terrestrial 3GPP (NTN) në çipat e saj, me synimin për telefonat inteligjentë, raporton 9to5google, transmeton Telegrafi.
Kjo teknologji do të jetë në dispozicion në telefonat e mençur që do të lansohen së shpejti, dhe MediaTek njoftoi gjithashtu se do të nisë mbështetjen për 5G New Radio NTN (NR-NTN) në të ardhmen.
Ashtu si përpjekjet nga Qualcomm dhe Samsung, teknologjia e MediaTek do të lejojë mesazhe të dyanshme përmes satelitit në një përpjekje për të “mbushur boshllëqet” e lëna nga rrjetet tradicionale, veçanërisht në situata emergjente.
MediaTek po fillon me telefonat inteligjentë, por synon ta zgjerojë këtë teknologji në forma të tjera në të ardhmen, duke përfshirë edhe veturat. /Telegrafi/