Telegrafi

Mediat zvicerane shkruajnë për Andi Zeqirin, akuzojnë Kosovën se duan ta marrin lojtarin

Andi Zeqiri është pjesë e ekipit të Zvicrës U-21 që po e kërkon Kampionatin Evropian, por ai sipas zviceranëve ka filluar të flirtojë me Kosovën.  

Zeqiri ka qenë në formë të madhe, duke shënuar 16 gola në 21 ndeshje për Lausanne këtë sezon.

Sulmuesi është kthyer në makinë golash dhe gjuan me të dyja këmbët, shkruan Blick.ch.

Ai ka qenë pjesë e Zvicrës U21, në gjashtë nga shtatë ndeshje dhe falë tij, skuadra e trajnerit Mauro Lustrinelli është në rrugën e duhur për Kampionatin Evropian.

Një fotografi e publikuar në Instagram, ku shihet Andi Zeqiri së bashku me presidentin e FFK-së, Agim Ademin, ka ngjallur pakënaqësi në Zvicër.

A do të luajë në të ardhmen 20-vjeçari për vendin e prindërve të tij? Kjo është pyetja e që e bën Blick.

Megjithatë, babai i futbollistit, Avdiu, ka ulur tensionet me një deklaratë për këtë medium, duke thënë se janë takuar me krerët e FFK-së, rastësisht në një hotel.

“Ne e kemi takuar atë rastësisht në një hotel”, ka thënë ai.

Sipas këtij mediumi, FFK-ja është qartë shumë e interesuar për shërbimet e futbollistit. /Telegrafi/