Pronari i një kompanie kriptovalutash që akuzohet për mashtrim nga autoritetet në Turqi është arrestuar në Prishtinë.
Kështu së paku shkruan mediumi turk “abcgazetesi”, sipas të cilit, sipas informacionit të marrë nga burimet e gazetës në Kosovë, pronari i Thodex, Faruk Fatih Özer u kap në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.
“Pas lajmit të Gazetës ABC, Ministria e Brendshme pritet të bëjë një deklaratë”, shkruan më tej ky medium, përcjell Telegrafi.
Telegrafi ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të “konfirmuar ose mohuar” një lajm të tillë, por deri në momentin e publikimit të lajmit, nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Ndryshe, mediumi tjetër turk ishte bërë të ditur se Turqia ka dërguar njësi policore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut për të mbështetur përpjekjet atje për të ndjekur Faruk Fatih Özer, drejtor ekzekutiv i Thodex, platformës turke të shkëmbimit të kriptovalutave.
Sipas mediave turke, përcjell Telegrafi, një urdhër arresti ndërkombëtar është lëshuar për Ozer i cili u arratis në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë javën e kaluar dhe besohet se mbante kodet e kriptovalutave të atyre klientëve me vlerë deri në 2 miliardë dollarë.
Po sipas mediumit në fjalë, Thodex, me më shumë se 390,000 përdorues, javën e kaluar mbylli operacionet ndërsa 70 persona u arrestuan në Turqi si pjesë e një hetimi ndaj kompanisë.
Por 62 nga të arrestuarit më vonë u lanë të lirë.
Siç thuhet më tej, policia turke ka ngritur ekipe për të hetuar vendndodhjen e Ozer dhe për t’i dhënë mbështetje përpjekjeve të forcave lokale të sigurisë për ta zbuluar atë.
Ai po kërkohej në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Hurriyetdailynews vë në pah se policia turke ka qenë në kontakt të ngushtë me forcat e sigurisë në ato vende dhe ka dërguar ekipe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë Veriore për të mbështetur përpjekjet për kapjen dhe kthimin e tij në Turqi.
Madje, siç thuhet më tej, autoritetet shqiptare bastisën një shtëpi, të cilën ata besojnë se Ozer po fshihej, njoftoi Agjencia e Lajmeve Demirören.
Dy shtetas shqiptarë, të cilët e pritën Ozerin në aeroport pas mbërritjes së tij, u arrestuan gjatë bastisjes, tha agjencia.
Ndryshe, shkruan mediumi turk, më parë këtë javë, themeluesi dhe tre punonjës të Vebitcoin, një tjetër platformë turke e shkëmbimit të kriptovalutave, u arrestuan gjithashtu nga policia pasi ndaloi operacionet më 23 prill.
Themeluesi İlker Baş, gruaja e tij dhe dy punonjës u arrestuan më vonë.
Kriptovalutat kanë qenë shumë të njohura në Turqi dhe vëllimet e tregtisë së tyre arritën 218 miliardë lira (27 miliardë dollarë) nga fillimi i shkurtit deri në 24 mars, nga pak më shumë se 7 miliardë lira në të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave nga studiuesi amerikan Chainalysis. /Telegrafi/