Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë një qëndrimi në kryeqytetin serb, Beograd pritet të flasë për librin e kujtimeve me rrëfimet e grave që i kanë mbijetuar përdhunimit në luftën e fundit në Kosovë.
Dhe këtë qëndrim të saj, gjegjësisht fjalimin e saj në mes të Beogradit, mediat serbe e vlerësojnë si një sulm të ri të shqiptarëve, përcjell Telegrafi.
“Sulm i ri i shqiptarëve: Jahjaga përdhunon Serbinë në mes të Beogradit!”, është titulli i mediumit serb Informer.
“Ish-presidentja e shtetit të rremë të Kosovës, Atifete Jahjaga, në mes të Beogradit mban një fjalim në lidhje me atë se si serbët e organizuar kanë dhunuar gratë shqiptare ?!…”, thuhet më tej në nëntitullin e artikullit.
Siç kanë bërë të ditur mediat ndërkohë, ish-presidentja Atifete Jahjaga, do të jetë mysafire e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i cili në Beograd do të mbahet nga 31 maji deri më 3 qershor.
Dhe siç është shtuar më tej, Jahjaga do të flasë në promovimin e librit “Dua të më dëgjojnë – Librin e kujtimeve me rrëfimet e grave që i kanë mbijetuar përdhunimit në luftën e fundit në Kosovë”, që mbahet në ditën e tretë të festivalit. /Telegrafi/