Serbia kundër ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj në gjykatën në Colmar të Francës ka paraqitur dëshmi të reja, duke përfshirë dëshmitë e punonjësve të policisë të cilët ishin varrosur të gjallë, masakrimi i grave si dhe dhunimi i nuseve.
Kështu shkruan sot Blic-serb në një shkrim kushtuar kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Gjykata e Apelit në Francë e shtyu për 6 prill vendimin për ekstradimin e Haradinajt,”, shkruan gazeta serbe, përcjell klankosova, duke theksuar “se prokuroria serbe për krime të luftës, përveç fakteve të mëparshme me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë ka paraqitur disa prova konkrete – deklarata dhe të dhëna të dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes”.
Të enjten për të dytën herë me radhë, gjykata në Colmar të Francës shtyu vendimin për lirimin ose ekstradimin e Haradinajt.
Ky i fundit po mbahet në Francë që nga 4 janari pas arrestimit të tij me një urdhërarrest të Serbisë të vitit 2004.