Telegrafi

Mediat serbe pas takimit Thaçi-Uglanin: Vuçiqi po përgatit terren për njohjen e Kosovës

Mediat në Serbi janë zemëruar tej mase pas vizitës që lideri i Këshillit Kombëtar Boshnjak në Sanxhak, Sulejman Uglanin, i ka bërë dje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ato shkruajnë se Uglanin ka bërë dje incident, në zemër të Prishtinës, në shoqëri me Thaçin, duke e njohur Kosovën si shtet.

Të përditshmet beogradase pohojnë se Uglanin ka nderuar, siç e quajnë ata “shtetin e rremë”, duke e uruar Thaçin “për rezultatet e mira në ndërtimin e një shteti demokratik, shumëkombësh dhe shumëfetar evropian të bazuar në sundimin e së drejtës, sigurisë ligjore dhe barazisë para ligjit”.

Uglanin ka “shprehur dëshirën për pjesëmarrjen aktive të boshnjakëve në jetën politike të Kosovës, për bashkëpunimit e Këshillit Kombëtar Boshnjak me institucionet e kulturës dhe arsimit, me synim ruajtjen e identitetit të boshnjakëve në Kosovë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik”, shkruajnë mediet serbe.

Disa komentues serbë pyesin nëse kjo vizitë e Uglaninit te presidenti kosovar, Hashim Thaçi, dhe njohja që ai ia bëri shtetit të Kosovës me deklaratën e tij është ideuar nga autoritetet në Beograd për të përgatitur terrenin për njohjen e Kosovës nga Serbia, në mënyrë që kjo e fundit të përshpejtojë procesin e saj integrues evropian.