Site icon Telegrafi

Mediat serbe: “Njohja, pa njohje”, zgjidhja kreative për Kosovën të cilën do të mund ta pranonin edhe amerikanët!

“Më mirë të kemi diçka sesa asgjë”, citohet të ketë thënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke komentuar qëndrimin serb në raport me Kosovën.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton tha se SHBA është gati të dëgjojë zgjidhje kreative për Kosovën.

Daçiç i ka thënë Zërit të Amerikës, se ndryshimi më i madh që erdhi nga administrata e re amerikane se ata janë “të gatshëm për të dëgjuar argumentet e Serbisë”, duke deklaruar se “dy vjet më parë, kur bisedonim me dikë”, na thoshin “kjo çështje është e kryer”.

Tani ata thonë “duhet të ketë një kompromis”, thotë Daçiq, dhe sipas tij, ky është një ndryshim i madh.

Dhe në këtë drejtim, përcjell Telegrafi, duke aluduar në “rrethanat e reja” mediat serbe kanë hedhur hipoteza se cila do të ishte “zgjidhja kreative për Kosovën, e pranueshme edhe për amerikanët”.

Sipas Dragan Gjukanoviç, një profesor në Fakultetin e Shkencave Politike dhe nënkryetar i Qendrës për Politikë të Jashtme, zgjidhje kreative do të thotë se asnjë nga palët nuk do të jetë në gjendje për të ruajtur pozicionet e tyre maksimaliste.

“Kjo është kryesisht e lidhur me palën shqiptare ose me kërkesën e Prishtinës që Beogradi në mënyrë eksplicite të njoh pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ndër të tjerash Gjukanoviç.

Ai beson se në këtë kontekst do të kërkohet një zgjidhje përfundimtare, e cila ka gjasa të ndodhë shumë shpejt.

“Njohja, pa njohje” – një zgjidhje kreative është parë nga diplomati i karrierës Zoran Milivojeviç.

Ai thotë se Kosova do të njihet de facto, por jo de jure.

“Do të ishte një zgjidhje kreative. Për të përmbushur apetitet e shqiptarëve dhe gjithashtu që serbët të ruajnë fytyrën e tyre”, vlerëson ndër tjerash Milivojeviç.

Gjithsesi, Milivojeviç nuk ndalet me kaq.

Sipas tij, këtu gjithashtu do të duhej të përfshihej edhe “legalizimi i situatës në terren, por që veriu i Kosovës të jetë nën një lloj kontrolli serb dhe se në afat të mesëm dhe të gjatë, pavarësia nuk do të vihej në dyshim”.

Ai thekson se Shtetet e Bashkuara nuk do të braktisin konceptin e Kosovës si shtet të pavarur dhe kufij të rinj për shkak të sulmit të NATO-s në vitin 1999, pasi kjo do të vinte në pikëpyetje legjitimitetin e ndërhyrjes ushtarake. /Telegrafi/

Exit mobile version