Marrëveshjen për rivendosjen e linjës ajrore në mes Prishtinës dhe Beogradit, mediat serbe, duke u thirrur në burime diplomatike, po e shohin si një dëshmi se në heshtje në prapaskenë po zhvillohen bisedime intensive për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.
“Një tjetër fitore”, tha Presidenti amerikan Donald Trump përmes Twitterit, duke reaguar ndaj arritjes së marrëveshjes për rikthimin e linjës ajrore Beograd-Prishtinë.
Trump në Twitter ndau edhe një fotografi të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes në Ambasadën amerikane në Berlin.
Gazeta serbe ‘Danas’, citon presidentin amerikan Donald Trump, i cili tha se “të gjithë thoshin se nuk mund të realizohet, megjithatë, për herë të parë në njëzet e pesë vjetët e fundit do të vendosen fluturime të drejtpërdrejta midis Serbisë dhe Kosovës”, duke falënderuar ambasadorët Robert O’Brien dhe Richard Grenell, përcjell Telegrafi.
Marrëveshja u nënshkrua nga delegacioni i Ministrisë serbe të Ekonomisë me përfaqësues të kompanisë ajrore “Lufthansa”, në prani të ambasadorit amerikan në Gjermani dhe të dërguarit special presidencial i SHBA për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe Robert O’Brien -këshilltar i Sigurisë Kombëtare të SHBA.
Sipas gazetës serbe, njëri nga kushtet që marrëveshja të zbatohet është heqja e taksës për mallrat serbe.
Marrëveshjen e ka konsideruar si sukses presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka falënderuar publikisht amerikanët Grenell dhe O’Brien për “energjinë dhe përpjekjen që bënë për të arritur marrëveshjen, si dhe presidentin Trump për interesimin e treguar”.
Rivendosjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë, burime diplomatike të gazetës “Danas” e interpretojnë si dëshmi se në kuadër të heshtjes së bisedimeve të udhëhequra nga Brukseli për gjetjen e një zgjidhje përfundimtare për Kosovën, intensivisht po negociohet në prapaskenë, me një rol aktiv të Washingtonit, përcjell Telegrafi.
“Grenell dhe O’Brien janë njerëzit më të besueshëm të Trump-it, dhe prezantojnë pjesën e administratës së Uashingtonit që do të pajtohej me ndarjen e Kosovës, në qoftë se për këtë dakordohen Beogradi dhe Prishtina. Muajt e ardhshëm do të vazhdojë angazhimi i rritur i SHBA-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Arritja e marrëveshjes do të ishte përfitim i dyfishtë për presidentin Trump – me çfarë ai do të regjistronte një poen të madh të politikës së jashtme në skenën ndërkombëtare gjatë garës për mandatin e tij të dytë presidencial, si dhe do të zvogëlonte ndikimin e Rusisë, rivalit kryesor në politikën e jashtme të Amerikës, ndaj Serbisë”, citon gazeta serbe duke u thirrur në burimet e saj diplomatike.
Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Studime Evropiane, ka thënë për gazetën serbe, se marrëveshja për rivendosjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd është një sinjal i mirë – pas “shuarjes” së dialogut për më shumë se një vit.
Beshiri thekson se “duke pasur parasysh faktin se negociatat janë kryer në fshehtësi, ato nuk i janë ekspozuar vlerësimeve të përgjegjësisë publike, kështu që kompania gjermane do t’i menaxhojë fluturimet në vend të kompanisë nga Serbia apo Kosova”. /Telegrafi/
Foto: Ilustrim