Telegrafi

Mediat serbe: Jahjaga nuk vjen në Beograd, Serbia nuk i ofroi siguri

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka refuzuar të shkojë në Beograd për të marrë pjesë në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd, pasi që autoritetet serbe nuk i kanë përcjellje dhe siguri.

Kështu raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta duke iu referuar burimeve diplomatike, transmeton Klan Kosova.

Ishte paralajmëruar që ish-presidentja e Kosovës të merrte pjesë  në festivalin “Mirëdita, dobar dan”, i cili po mbahet në Beograd, për të promovuar librin “Dua të dëgjohem: Libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë”.

Promovimi është paraparë të bëhet në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor.

Festivali ka nisur të mërkurën mbrëma, më 31 maj, dhe është penguar përkohësisht nga 20 pjesëtarë të lëvizjes ekstreme djathtiste “Zavetnici”.

Edhe të enjten në mbrëmje, një grup prej disa dhjetëra pjesëtarësh të kësaj lëvizjeje, kanë bërë përpjekje për të penguar rrjedhën e festivalit.

Në ndërkohë, Drejtoresha e i Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Anita Mitiq ka thënë se ish-presidentja e  Kosovës, Atifete Jahjaga “është shumë e gatshme për të shkuar në Beograd”.

“Jahjaga është shumë e gatshme që të vijë në Beograd, dhe ka ardhur deri tek ajo që ne e kemi kuptuar si ndalesë për hyrje në Serbi, jemi duke punuar në atë drejtim që ajo të vie”, ka deklaruar Mitiq.

Ajo gjithashtu tha se organizatorët e festivalit janë ende duke punuar në shkuarjen e Jahjagës në Beograd dhe se “ekzistojnë gjasa të mëdha që ajo të jetë aty”, transmeton Klan Kosova.