Site icon Telegrafi

Mediat serbe: EULEX-i “në mënyrë arrogante” refuzon të tregojë se çfarë ka ndodhur në takimin me Nikoliqin

Departamenti i marrëdhënieve me media i presidentit të Serbisë informoi publikun sot se pavarësisht nga përpjekjet për të rënë dakord për një deklaratë të bisedës së Tomisllav Nikoliqit me përfaqësuesit e misionit EULEX, kjo gjë nuk ka ndodhur.

Prandaj, siç ceket, shërbimi për shtyp i presidentit nuk është në gjendje që të informojë mediat dhe publikun me detajet e takimit të sotëm të tij me shefen e Misionit të EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulo.

Në një deklaratë thuhet se Nikoliqi dhe shefja e EULEX-it folën për më shumë se një orë dhe se stafi i misionit “në mënyrë arrogante dhe jo të duhur nuk ka lejuar që qëndrimet e shefes së tyre të bëhen publike”.

Në anën tjetër, misioni EULEX nuk ka reaguar ndaj deklaratës së departametit për marrëdhënie me media të president serb. E pyetur qe të shpjegojë se pse nuk pati pajtueshmëri për deklaratën për shtyp, zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Solomon, tha: “Nuk kemi koment”.

Shërbimi i Nikoliqit thotë se nuk kanë pse të fshehin aktivitetet e presidentit serb dhe qëndrimet e tij, dhe se do të thonë atë që ka folur ai në takim. Sipas tyre, ai në takim ka thënë se “politika e mos pranimit të pavarësisë së shpallur njëanshëm të Kosovës po ngadalëson rrugën e Serbisë në integrimet evropiane”.

“Përkundër kësaj, do të bisedojmë me shqiptarët. Ama, nëse arrijnë të marrin mandatin të ruajnë trashëgiminë serbe në UNESCO, nuk do të kemi motiv për të biseduar në Bruksel”, ka thënë Nikoliqi.

Ai citohet të ketë thënë se e çmon rolin e EULEX-it, se është i vetëdijshëm për kufizimet e këtij mandati, por se e di se “ka mandat që nga e ashtuquajtura Kosovë të bëjë një shtet të rregullt”. /Telegrafi/

Exit mobile version