Telegrafi

Mediat serbe e përjetojnë rëndë shkarkimin e John Bolton nga Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar John R. Bolton, këshilltarin e tij të tretë për siguri nacionale, pas shumë mospajtimeve që kishin pasur, në veçanti për shkak të politikave të jashtme karshi Iranit, Koresë së Veriut dhe Afganistanit.

Shkarkimi i tij ka ndodhur në kohën kur Trump po tenton të përmirësojë raportet me disa vende me të cilat ka pasur mospajtime, megjithatë ishte Bolton ai që Korenë e Veriut dhe Iranin i shihte si vende të cilave nuk duhet t’iu zihet besë, transmeton Telegrafi.

E raportet mes Bolton dhe Trump u zbehën edhe më shumë muajve të fundit, kur presidenti amerikan mori vendim të anulojë sulmet ajrore të planifikuara mbi Iranin pas rrëzimit të dronit amerikan.

Lexo po ashtu Donald Trump shkarkon John Boltonin

Megjithatë raportet e tyre u “ftohën” edhe më shumë, kur Trump u pajtua të takohet me Kim Jong-Un në zonën e demilitarizuar që ndanë dy Koretë.

Kujtojmë që Bolton ishte pro sulmeve mbi Iranin dhe publikisht kritikoi testet e raketave të Koresë së Veriut. E pasi që Trump ishte pajtuar që takohet me Kim Jong-Un në zonën e demilitarizuar, Bolton kishte vendosur që mos ta shoqërojë, madje kishte udhëtuar për në Mongoli.

John Bolton, ish-ambasadori amerikan pranë Kombeve të Bashkuara, njihej për qëndrimet e tij kundër pavarësisë së Kosovës, kurse mediat në Serbi e kanë përjetuar rëndë këtë vendim të presidentit Trump.

Gazeta serbe “Kurir” me këtë titull ka paraqitur shkarkimin e John Bolton: “Trump e ka shkarkuar Boltonin, kundërshtarin e pavarësisë së Kosovës, por ja çfarë ishte vendimtare për këshilltarin e presidentit Trump”. /Telegrafi/